Edhe sot për të 35-ën herë me radhë nuk është arritur të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Kryesuesi Avni Dehari edhe këtë seancë e nisi me kërkesën për anëtarët e komisionit për votim të fshehtë, emrat e të cilëve nuk u propozuan nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
Këto parti kanë refuzuar ta votojnë edhe vet komisionin, me arsyetimin se po shkelet rregullorja, për shkak se votimi ka nis i hapur dhe nuk duhet të vazhdojë i fshehtë.
“Për kanë votuar 51 deputetë, kundër ka qenë një. Nuk kemi kuorum, ndërpritet seanca, shihemi me 25 qershor në orën 11:00“, tha ai.
Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për Albulena Haxhiun, të cilën e kanë propozuar si kryetare të Kuvendit. Në mungesë të numrave ata kanë propozuar që votimi nga I hapur të kalojë në të fshehtë.
Komisioni që mundëson votimin e fshehtë nuk po mbështetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo çështje madje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, nga e cila po pritet mendimi.
PDK dhe AAK i kanë kërkuar LVV-së që ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit me arsyetimin se ka punuar në dëm të interesave të shtetit. Kurse, LDK ka deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidatë.
Këto parti kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë as votat për formimin e Qeverisë, për çka kanë thënë se nevojitet marrëveshje politike. Megjithatë, në LVV kanë thënë se kjo duhet provuar duke votuar fillimisht konstituimin e Kuvendit.
Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret. /KosovaPress/