Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të premten se pretendimet e shefes së Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, për mungesën e provave sa i përket programit bërthamor iranian, janë të gabuara, ka raportuar BBC.
I pyetur nga gazetarët se në cilin informacion bazohen sugjerimet se Irani po zhvillon dhe prodhon armë bërthamore, kur komuniteti i tij i inteligjencës më parë ka deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme, Trump është shprehur se ata e kanë gabim.
“Atëherë komuniteti im i inteligjencës është gabim. Kush në komunitetin e inteligjencës e ka thënë këtë?”, ka pyetur Trumpi pastaj gazetarët.
Një gazetar iu përgjigj presidentit amerikan, tek e ka qartësuar se personi në fjalë që i ka bërë këto pretendime ishte Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard.
“Ajo është gabim”, ka thënë Trumpi.
Në mars, Gabbardi i pati thënë Kongresit se agjencitë amerikane të inteligjencës kishin përcaktuar se Irani nuk e kishte rifilluar programin e pezulluar të armëve bërthamore të vitit 2003, edhe pse rezerva e uraniumit të pasuruar të vendit — një përbërës kyç për armët e këtilla — ishte në nivelin më të lartë historik. /Koha.net/