Bajrami: Vetëm të premten Kosova importoi gjysmën e energjisë që e shpenzoi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka prezantuar disa të dhëna të marra nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), të cilat tregojnë se Kosova, vetëm të premten, ka importuar gjysmën e energjisë që e shpenzon.

“Ngarkesa është 13 mijë e 950 Megavatë, ndërsa prodhimi është vetëm 7 mijë e 157 Megavatë, kështu lulëzon mafia energjetike”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.

Një shpërputhje e tillë mes prodhimit dhe importit të energjisë elektrike në Kosovë, sipas Bajramit, është për shkak se tri blloqe të Termocentralit Kosova A kanë dalë jashtë funksionit.

“Sa herë që bien blloqet e KEK-ut, ngritën në këmbë tregtarët e energjisë, veçanërisht NOA dhe EFT-ja e Vuk Hamoviqit. Ditimet e tyre janë çmime të rritura për të gjithë ne – këto ndërprerje dhe defekte përkthehen në import të shtrenjtë dhe fatura edhe më të larta për secilin prej nesh në të ardhmën e afërt”, ka shtuar ajo.

Bajrami ndër të tjera ka kërkuar që Prokuroria të fillojë “menjëherë hetimet për mafinë energjetike”.

“Institucionet dhe udhëheqësit e tyre kanë përgjegjësi për vonesat në remonte, për rënien e tri blloqeve për më pak se një muaj, sepse rënia e blloqeve ju leverdisë tregtarëve të energjisë, atyre që kanë monopolizu importin duke rezervuar kapacitetet e transportit të energjisë”.

Korporata Energjetike e Kosovës, të enjten, ka bërë të ditur se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar, rreth orës 00:30.

Kjo ndalesë, sipas KEK-ut, është shkaktuar si pasojë e luhatjeve në sistemin elektrik, me ç‘rast ka reaguar sistemi mbrojtës i gjeneratorit, duke shkaktuar ndërprerjen automatike të zgjueses.

KEK-u, gjithashtu, ka potencuar se në njësinë A5 të Termocentralit Kosova A, të martën është vërejtur humbje e ujit në kaldajë.

“Ekipet teknike kanë monitoruar nga afër situatën dhe e kanë mbajtur njësinë në funksion deri më 18.06.2025 në ora 00:02, kur ajo është ndalur me qëllim të evitimit të ndonjë avarie të përmasave më të mëdha”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, sipas KEK-ut, njësia A4 e Termocentralit Kosova A ndodhet në remont që nga data 16 maj 2025. /Albanianpost.com

Read Previous

Pse Izraeli dhe Irani janë armiq të përbetuar?

Read Next

​Qytetarët të frustruar me rritjen e çmimeve në Kosovë