Në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta të avokates dhe ish-ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, është kujtuar sot kontributi i saj i jashtëzakonshëm për liri dhe drejtësi në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar figurën e Kelmendit, duke e cilësuar atë si një avokate të palodhur për të drejtat e njeriut, aktiviste politike të guximshme dhe bashkëpunëtore të ngushtë të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
“Znj. Nekibe Kelmendi mbeti stoike përkundër dhembjes personale nga vrasja mizore e burrit dhe djemve të saj nga regjimi gjenocidal i Serbisë, dhe nuk hoqi dorë kurrë nga përkushtimi ndaj lirisë, dinjitetit dhe të drejtës”, thuhet në njoftimin e Presidentes Osmani.
Osmani ka theksuar se Kelmendi ka dhënë kontribut të rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit, përfshirë hartimin e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës dhe shumë procese të tjera shtetformuese.
“Lavdi jetës dhe veprës së saj!”, përmbyllet mesazhi përkujtimor i Presidentes. /GazetaSinjali/