Lewis Hamilton: Kjo makinë nuk mund të luftojë për titullin, të mendojmë për 2026-tën

Një hap prapa. Pas dy garave që përfunduan në podium për Ferrari, me Charles Leclerc të tretin në Monako dhe Spanjë, makina italiane ka mbetur jashtë podiumit në Kanada. Një garë anonime, me vendin e pestë për Charles Leclerc dhe të gjashtin për Lewis Hamilton.

Dyshja nga Maranello ishte e zhgënjyer nga rezultati i arritur të dielën në Montreal, të cilat e kthejnë skuadrën italiane në vendin e tretë në renditjen për konstruktorë: 191 pikë pas kryesuesve të McLaren dhe 16 pas Mercedes, që triumfoi në Kanada.

“Është e qartë se ne kemi nevojë për përditësime dhe nuk e di pse nuk po i sjellim ato. Gjithsesi, nuk mendoj se risitë teknike janë problemi kryesor. Nuk mund të them shumë, por ka shumë gjëra në prapavijë që po ndodhin”, tha Lewis Hamilton, 7 herë kampion bote në Formula 1.

“Ajo që është e qartë është se ne nuk kemi një makinë për të luftuar për kampionatin botëror të këtij viti, ndaj duhet të fokusohemi te makina e sezonit tjetër. Ferrari duhet të përpiqet të ndërtojë disa themele në mënyrë që të ketë sukses afatgjatë. Sepse ka kaq shumë ndryshime që duhen bërë”, tha Hamilton. /Telesport.al/

Read Previous

Amazon investon 12 miliardë euro për qendra të të dhënave në Australi

Read Next

Maicon: Chivu është zgjedhja perfekte për Interin