Sëmundja ngjitëse dhe tepër e rrezikshme për blegtorinë, murtaja e bagëtive (PPR), po përhapet me shpejtësi në disa zona të vendit, duke vënë në alarm autoritetet veterinare dhe komunitetin fermer.
Deri më tani, janë identifikuar 7 ferma pozitive në 5 vatra shpërthimi, ku krerët e prekur janë asgjësuar sipas protokolleve strikte veterinare për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Një vatër e re është konfirmuar së fundmi në fshatin Shuec, në njësinë Devoll, ku është prekur një fermer. Dyshohet për 150 krerë të infektuar, nga të cilët 13 kanë ngordhur. Bagëtitë e dyshuara janë futur në karantinë, ndërsa shërbimi veterinar ka marrë të gjitha masat për izolimin dhe trajtimin e rasteve.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka bërë thirrje urgjente për bashkëpunim nga të gjithë fermerët, duke kërkuar që: të ndalohet lëvizja e kafshëve jashtë fermës, të mos kryhen shit-blerje të kafshëve nga ferma të tjera, të respektohen masat e biosigurisë brenda fermës.
“Ky është një hap jetik për mbrojtjen e tufave dhe ndalimin e përhapjes së mëtejshme të kësaj sëmundjeje ngjitëse dhe shkatërruese për blegtorinë,” thuhet në njoftimin e AKVMB-së.
Ekipet veterinare janë të pranishme në terren dhe në gatishmëri të plotë për marrjen e mostrave për analizë, monitorimin e gjendjes shëndetësore të bagëtive,
Informimin dhe ndërgjegjësimin e fermerëve për shenjat klinike të PPR-së, si: temperaturë e lartë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, diarre, vështirësi në frymëmarrje dhe ulje të oreksit.
AKVMB i bën thirrje çdo qytetari që ka dyshime për sëmundjen të kontaktojë menjëherë. /Top Channel/