Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit, Smakajt, Kilajt e Fazliut

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ua kanë vazhduar masën e paraburgimit Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt, të cilët së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Katër vendimet janë marrë ndaras nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

Ndonëse tek rasti ku Thaçi akuzohet për krime lufte nuk është konstatuar se përbën rrezik të arratisjes, tek rasti në fjalë është konstatuar se mund të arratiset.

Kjo bazohet në atë që vendimi e specifikon: rëndësia e veprave penale për të cilat Thaçi akuzohet, qëllimet jo të mira ndaj ligjeve dhe rregullave të DhSK-së.

Përveç kësaj, përmendet edhe fakti që Thaçi vazhdon të fitojë njohuri mbi provat që mbështesin akuzat kundër tij në këtë proces. Si rrjedhojë është konkluduar se ekziston rreziku i arratisjes së Thaçit.

Krahas rrezikut të arratisjes, në vendim thuhet se ka rrezik që Thaçi të pengojë procedurat e DhSK-së dhe të kryejë krime të tjera, duke u referuar edhe në çështjen e tij për krime lufte, e cila ka rezultuar me ngritjen e aktakuzës në rastin aktual.

Ndërsa, sipas gjyqtares, asnjë kusht i lirimit nuk mund të zbus mjaftueshëm rreziqet ekzistuese përveçse në objektin e paraburgimit në Hagë.

Për Smakajn, vendimi thekson se ka rrezik që të arratiset, të pengojë procedurat dhe të kryejë krime të tjera.

Krahas kësaj, aty thuhet se është e nevojshme që Smakaj të qëndrojë në paraburgim për shkak se asnjë prej kushteve të propozuara për lirimin me kusht nuk mund t’i zbusin mjaftueshëm rreziqet.

Gjyqtarja e procedurës paraprake nuk është bindur për lirimin me kusht të Smakajt as me garanci prej 30 mijë euro, e cila është thënë se do të paguhej plotësisht nga një palë e tretë që ka lidhje të afërta familjare me të akuzuarin, e as me kufizime në komunikim dhe lëvizje.

Ngjashëm si për të tjerët të akuzuar edhe për Smakajn, thuhet se kushtet e tilla nuk e adresojnë mundësinë që ai të përdorë pajisje komunikimi që i përkasin personave të tjerë, nuk mund të sigurohet mbikëqyrje efektive të komunikimeve të tij, e të tjera.

Ndonëse rreziku i mesazheve të paligjshme nuk mund të eliminohet plotësisht, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se masat e vendosura në objektin e paraburgimit të DhSK-së ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pambikëqyrura.

Për Kilajn, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se ekzistojnë arsye për të besuar se ai mund të arratiset dhe mund të pengojë procedurat e DhSK-së, e po ashtu të kryejë krime të tjera.

Gjyqtarja Masselot ka konstatuar se asnjë prej kushteve të propozuara nga mbrojtja duke përfshirë edhe shumën prej 40 mijë eurove dorëzani, raportimet e shpeshta në Policinë e Kosovës, kufizimet në komunikim dhe lëvizje, nuk mund të zbusin në mënyrë të mjaftueshme rreziqet lidhur me këtë çështje.

Në vendim thuhet se mbrojtja gjithashtu ka parashtruar se koha që ka kaluar Kilaj në paraburgim ka të ngjarë që të kalojë çdo dënim që ai mund të marrë nëse shpallet fajtor. Ndërsa, gjyqtarja e procedurës paraprake ka rikujtuar se argumentet e tilla të mbrojtjes edhe më parë janë hedhur poshtë si spekulative dhe të papërshtatshme.

Si rrjedhojë, gjyqtarja ka konstatuar se koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim është e arsyeshme e po ashtu ka konstatuar se i nevojshëm është edhe vazhdimi i paraburgimit në këtë fazë.

Ngjashëm edhe për Fazliun, është konstatuar se ekzistojnë baza të arsyeshme për të besuar se ai mund të arratiset, të pengojë procedurat e DhSK-së dhe të kryejë krime të tjera.

Veç kësaj, është rikujtuar se Fazliu është i gatshëm që të ofrojë garanci, megjithatë gjyqtarja ka thënë se asnjë prej kushteve të propozuara nga Fazliu nuk mund të zbusin mjaftueshëm rreziqet ekzistuese.

Thaçi ka kërkuar veçimin e procedurës ndaj tij derisa të përfundojë rasti ku ai akuzohet për krime lufte. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Albin Kurti i shkon në zyrë Bedri Hamzës për takim

Read Next

”The Guardian”: Suksesi më i madh i ndeshjes Shqipëri-Serbi ishte atmosfera e qetë