Kosova e gatshme të diskutojë me Mbretërinë e Bashkuar për qendrat për migrantë

Pak ditë pasi presidentja Vjosa Osmani konfirmoi se Kosova është e hapur të diskutojë me Mbretërinë e Bashkuar për çështjen e qendrave për imigrantët e paligjshëm që ia mësyjnë këtij vendi, gatishmëri ka shprehur edhe Qeveria në detyrë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kosova dëshiron ta ndihmojë “mikun, partnerin dhe aleatin”.

“Besojmë se është e drejtë të themi se mund të fillojmë diskutimet mbi këtë temë, por të gjitha institucionet tona shtetërore duhet të përfshihen dhe më pas vendimi do të varet nga rekomandimet e tyre. Shumë pyetje do të kenë nevojë për përgjigje paraprakisht”, ka thënë ai për KOHËN.

Mbretëria e Bashkuar po synon që të ngrejë qendra të kthimit në vende të tjera, si pjesë e një strategjie për të luftuar numrin në rritje të imigrantëve që mbërrijnë në ishull jashtëligjshëm.

Siç ka shkruar “The Times” një ditë më parë, Britania do t’i kërkojë Kosovës të pranojë migrantët si pjesë e planeve për “qendrat e kthimit”. Kosova është në mesin e nëntë shteteve potenciale për qendra azili, për migrantët që do të dërgoheshin në pritje të dëbimit pasi t’u jetë refuzuar apeli për azil.

Pos Kosovës, aty nga Ballkani janë edhe Serbia, Maqedonia e Veriut e Bosnje-Hercegovina nga rajoni.

Sipas raportimit, nuk ka pasur ende bisedime zyrtare me ndonjë shtet. Megjithatë, ministrat britanikë mësohet se duan të avancojnë deri kur t’i presin liderët e Ballkanit në Londër në vjeshtë, ku çështja e imigrantëve ilegalë do të jetë në krye të agjendës.

Fillimisht ishte shpresuar se Shqipëria do të ishte e hapur t’i presë të azilkërkuesit e refuzuar, por kryeministri Edi Rama e shprehu publikisht kundërshtimin javën e shkuar.

“The Times” ka raportuar në burime qeveritare britanike se Kosova konsiderohet si vend “i mundshëm” për vendosjen e qendrave sepse konsiderohet një nga rrugët kryesore që është përdorur nga migrantët ilegalë që ia mësyjnë Bashkimit Evropian. Gati 22 mijë persona kanë përdorur Ballkanin Perëndimor për të hyrë në BE vitin e shkuar, sipas të dhënave në Britani.

Edhe Italia, Danimarka, Gjermania, Holanda e Zvicra po kërkojnë ndërtimin jashtë vendi të qendrave për imigrantët ilegalë./koha.net/

Read Previous

Kaosi në paradën e Liverpoolit përfundoi me pothuajse 50 persona të lënduar

Read Next

“Boll”! – Aksion para Kuvendit të Kosovës