Zhbllokim i përkohshëm për futbollin e Kosovës, lejohen sponsorizimet për klubet

Pas një periudhe të pasigurt dhe bllokimi të gjatë, klubet e futbollit në Kosovë, kanë marrë lejen për të vazhduar me procedurat për marrjen e vërtetimeve të sponsorizimeve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Ky zhvillim vjen pas një takimi të komisionit përkatës dhe sinjalizimit pozitiv përkohësisht nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Përfaqësues të klubeve futbollistike kanë konfirmuar për KosovaPress, marrjen e njoftimeve zyrtare, por gjithashtu kanë shprehur shqetësime për ndërlidhjen e çështjeve të licencimit të federatës me funksionimin financiar të klubeve.

Presidenti i klubit të futbollit ‘Ferizaj’, Lulzim Abazi ka thënë se janë njoftuar nga ana e FFK-së, se mund t’i marrin vërtetimet e sponsorizimeve brenda Ministrisë së Sportit.

“Sa i përket punës së sponsorizimeve, ne javën e kaluar kemi marrë një e-mail nga Federata e Futbollit të Kosovës që do të takohen komisioni i Ministrisë së Sportit (MKRS) që është i caktuar në lidhje me sponsorizimet edhe licencimet e klubeve dhe federatave që do ta kenë një takim dhe ai takim siç duket është zhvilluar sipas informacioneve që kemi sepse ne na ka ardhur një e-mail zyrtar në klubin e futbollit që mund të vazhdojmë me punën e sponsorizimeve për marrjen e vërtetimeve që i kemi deponuar për t’i gëzuar këto sponsorizimet nga kompanitë e ndryshme”, thotë Abazi.

Drejtori i klubit të futbollit Prishtina e Re, Sami Boroci, skuadër kjo që sapo ka siguruar inkuadrimin në Superligën e Kosovës, ka thënë se kanë marrë një konfirmim se tani e tutje mund t’i marrin vërtetimet e sponsorizimeve, por që shpreh pakënaqësinë e tij për faktin që mos-licencimi i FFK-së, të lidhet direkt edhe me klubet sepse kjo po i dëmton financiarisht ato.

“Ne nuk është se kemi pasur në këtë fazë ndonjë vërtetim në proces një pjesë e madhe e shpenzimeve për të mos thënë më shumë mbulohen prej mjeteve direkte që aksionari i investon në klub dhe një pjesë tjetër është e bazuar në Ligjin e Sponsorizimit. Por, tani vonë na ka ardhur një njoftim që federata është licencuar dhe klubet mund të procesojnë që t’i marrin vërtetimet në ministri. Në fakt unë besoj që as nuk duhet të lidhen kështu klubet me federatë, mendoj që është gabim, mirëpo se do që të jetë ka ardhur njoftimi javën e kaluar që klubet mund të procesojnë dhe t’i marrin vërtetimet në ministri sepse federata është licencuar”, bën të ditur Boroci.

Megjithatë, zhbllokimi mbetet i përkohshëm, pasi nëse FFK nuk mban kuvendin e paralajmëruar në qershor për të harmonizuar aktet me Ligjin për Sport, vërtetimet mund të pezullohen sërish. Kështu ka bërë të ditur Fidan Shatri, drejtor për komunikim me federata brenda MKRS-së.

“Po, vërtetimet janë duke u lëshuar për ato klube që aplikojnë dhe janë duke u shqyrtuar. Nuk është numër i madh i aplikimeve, aq sa është, nuk kam ndonjë statistikë tani por janë duke u lëshuar. Nga java e kaluar është një numër i konsiderueshëm që janë duke u lëshuar në sportin e futbollit në këtë rast. Kjo do të vazhdojë deri në zotimin që e ka dhënë Federata e Futbollit të Kosovës. Nëse Federata e Futbollit të Kosovës në qershor nuk mbahet kuvendi, atëherë si komision jemi të detyruar vendimin ta tërheqim prapa pasi që harmonizimi i akëtëve të federatës është detyrim i federatës që t’i harmonizojë aktet e tyre me Ligjin për Sport”, thotë Shatri.

Deri atëherë, ky zhvillim shënon një lehtësim të përkohshëm për klubet e futbollit në Kosovë, të cilat deri tani janë përballur me vështirësi në marrjen e vërtetimeve për sponsorizime për shkak të moslicencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). /KosovaPress/

Read Previous

Trump: Samsung do të doganohet 25 për qind

Read Next

KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve lokale