Dita filloi me pastrimin e deponisë së mbeturinave në rrugën kryesore të Shkugëzës. Komuna e Gjakovës së bashku me KRM “Çabrati” dhe zyrtarët e stacionit policor në Gjakovë ishin pjesë e këtij aktiviteti i cili u organizua me rastin e ditës botërore të Tokës. Ndërsa në kuadër të garës për Gjakovë të pastër do të ketë edhe nisma të tjera.
Bazuar në udhëzimin e Ministrisë së ambientit dhe mjedisit do të shqiptohen edhe gjoba për të gjithë ata që ndotin mjedisin.
Në kuadër të kësaj dite u mbollën edhe 400 fidane në memorialin e varrezave në fshatin Mejë. Me këtë rast kryetari i komunës, Ardian Gjini tha se këto fidane janë simbolikë e atyre që humbën jetën në masakrën më të madhe në Kosovë.
Ata që u përkujdesen për mbjelljen e fidaneve janë punëtorët e kompanisë Çabrati. Lokacioni që mblodhi nxënës të shkollave nga qyteti dhe fshatërat ishte Shkugëza. Këtu u bë pastrimi I shtigjeve të ecjes dhe zonës përreth.Nxënësit përcollën mesazhe sensibilizuese.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe Organizata “Let’s Do it Peja” e cila ka në fokus mbrotjen e mjedisit. Urim Xharavina, drejtor i kësaj organizate tha se është rritur dukshëm vetëdijësimi I qytetarëve për mjedis të pastër.
Në anën tjetër Drejtoresha e shoqatës për pastërti dhe ambient të Kosovës, Merlina Beu Muçaj para të pranishmëve tha se kjo është ditë e veçantë, për t’i shprehur mirënjohjen tonë planetit tokë, i cili i mbështet të gjitha format e jetës.
Dita ndërkombëtare e Tokës ndryshe konsiderohet si dita e apelit ndaj problemeve që lidhen me degradimin, braktisjen dhe keqpërdorimin saj, ndotjen nga industritë kimike, dhe erozionin e shkaktuar nga shpyllëzimet masive. Qëllimi i kësaj dite është vetëdijësimi dhe angazhimi i të gjithë njerëzve anëmbanë botës në mbrojtje të tokës, për një mjedis të pastër dhe një jetë të shëndetshme.