Numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Evropian ra në pak më shumë se 13 mijë e 400 në janar, duke shënuar një ulje prej 22 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tha të martën agjencia kufitare e bllokut Frontex.
Sipas Frontex-it, itinerari i Mesdheut Qendror pati një rritje të aktivitetit, megjithëse rritja evidenton edhe shifër shumë të ulët nga një vit më parë.
Raporti i agjencisë vëren se Ballkani Perëndimor pa rënien më të madhe të kalimeve të parregullta: 66 për qind më pak krahasuar me janarin e vitit të kaluar.
Komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner deklaroi se “puna jonë për të forcuar mbrojtjen e kufirit po zvogëlon numrin e kalimeve të parregullta kufitare, veçanërisht përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor”.
“Frontex është në krye të mbështetjes për shtetet anëtare. Ne do të rrisim më tej aftësitë e tij për të përmirësuar efektivitetin e përpjekjeve tona për mbrojtjen e kufirit”, u shpreh zyrtari evropian.
Pavarësisht një uljeje prej 34 për qind nga një vit më parë, Afrika Perëndimore mbeti rruga më aktive migratore me 4 mijë e 740 mbërritje në muajin e parë të 2025-ës.
Pjesa më e madhe e migrantëve të parregullt erdhi nga Mali, Maroku dhe Guinea.
Në janar, Mesdheu Lindor ishte rruga e dytë më aktive për mbërritjet në Bashkimin Evropian, me pothuajse 3 mijë e 500 mbërritje.
Kalimet detare, zakonisht të orkestruara nga rrjetet e organizuara kriminale, vazhdojnë të përbëjnë një rrezik ekstrem për emigrantët, shton Frontex.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) vlerëson se 93 persona kanë humbur jetën në det në janar.
Gjatë gjithë vitit të kaluar, kjo shifër arriti në 2 mijë e 300, duke nënvizuar koston tragjike njerëzore të këtyre rrugëve të rrezikshme.
Në rrugën e Kanalit, numri i zbulimeve të njerëzve që kërkonin të kalonin në Mbretërinë e Bashkuar ra me më shumë se një të pestën nga një vit më parë në pak më shumë se 2 mijë e 500. /Albanianpost.com