Marcus Rashford tashmë është një kujtim te Manchester United, edhe pse nuk e ka lënë ende klubin, pavarësisht përplasjeve të forta me trajnerin Ruben Amorim.
Profesionalizmi i tij është vënë në dyshim. Në moshën 27-vjeçare, sulmuesi anglez nuk ka luajtur për “Djajtë e Kuq” që nga 12 dhjetori. Sipas një legjende të Manchester United si Rio Ferdinand, situata ka arritur në një pikë pa kthim.
Në kanalin e tij në YouTube, “Rio Presents”, analisti i “TNT Sports” komentoi: “Që dikush (Amorim) të vërë në dyshim angazhimin tënd, të të akuzojë se nuk jep 100% për ekipin, të thotë se të mungon përkushtimi dhe se merr rrugë të shkurtuara, është një koment shkatërrues. Nuk ka asnjë mundësi kthimi për Marcus pas kësaj. Nëse ai kthehet, do të thotë se edhe lojtarët e tjerë mund të humbin motivimin dhe të gjejnë mënyra për t’u rikthyer në ekip pa u përpjekur maksimalisht”.
Ferdinand vazhdoi, duke theksuar se Rashford do të kishte reaguar publikisht nëse deklaratat e Amorim nuk do të ishin të vërteta: “Sipas mendimit tim, nëse nuk do të ishte e vërtetë, ai do të kishte dalë menjëherë për ta kundërshtuar.
Do të kishte mbajtur një konferencë për shtyp dhe do të thoshte: Nuk dua që askush të flasë kështu për mua. Këtë e bën vetëm nëse je 100% i sigurt se askush nuk mund të të akuzojë për mungesë angazhimi. Jetojmë në një epokë ku mund të komunikosh drejtpërdrejt me tifozët, në mënyrë që e vërteta të mos shtrembërohet”.
Në fund, ai shtoi: “Do të doja të ulesha përballë Marcus dhe ta shikoja në sy për të parë nëse do ta mohonte këtë gjë. Nëse nuk mund ta bëjë, atëherë duhet të shikojë brenda vetes”. /Telesport.al/