​Çfarë sjell marrëveshja me EFTA-n për Kosovën?

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), e nënshkruar nga Kosova këto ditë në Davos të Zvicrës, pritet të jetë e dobishme për prodhuesit vendor që eksportojnë mallra në vendet e EFTA-s. Sipas ekspertëve të ekonomisë kjo marrëveshje do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit, duke eliminuar barrierat doganore dhe rritur shkëmbimin tregtar dhe promovuar bizneset vendore. Porse, sfidë sipas tyre në këtë marrëveshje, mbetet një klauzole në kuadër të marrëveshjes ku thuhet se produktet me përmbajtje shtazore do duhej t’i nënshtroheshin rregullave të BE-së.

Marrëveshja, që fokusohet në liberalizimin e tregtisë së mallrave, do t’u mundësojë prodhuesve të eksportojnë një sërë produktesh në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore.

Profesori i ekonomisë, Ilir Hajdini e konsideron se kjo marrëveshje do të kontribuojë në forcimin e raporteve ekonomike dhe diplomatike, duke përmirësuar gjithashtu mundësitë për transferimin e njohurive nga ekonomitë e zhvilluara, si ajo zvicerane.

Hajdini: Përpos zhvillimit të bizneseve ndihmon edhe në përmirësimin apo forcimin e raporteve diplomatike

“Ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit… E forcon raportin mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës në Zvicër…Përpos zhvillimit të bizneseve ndihmon edhe në përmirësimin apo forcimin e raporteve diplomatike, ndihmon edhe në transferimin e dijes që gjendet në një ekonomi 500 vjeçare zvicerane, dhe ndihmon që të kemi produkte e shërbime nga këto kompani apo individ, institucione zvicerane që do të vinë në drejtim të Kosovës, sepse edhe për ata do të jetë më lehtë qasja në këtë treg. Është shumë pozitive, dhe neve na duhet të vazhdojmë me qasje të tilla”, thotë Hajdini.

Ndërkaq, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, ka komentuar gjithashtu përfitimet dhe sfidat e kësaj marrëveshje. Sipas tij, kjo marrëveshje eliminon disa nga barrierat tregtare që kanë ekzistuar, sidomos me shtetin zviceran dhe disa shtete të tjera që nuk janë anëtare të BE-së.

Ai ka theksuar se kjo do të rrisë shkëmbimin tregtar dhe do të ofrojë mundësi të mëdha për eksportin dhe importin e mallrave dhe shërbimeve.

Mulaj: Përfiton për shkak se rritet shkëmbimi tregtar, afaristet nga këto vende mund të eksportojnë në Kosovë

“Eliminon një pjesë të barrierave që kanë qenë sidomos me shtetin zviceran dhe disa shtete të tjera që nuk janë anëtare të BE-së, por që kemi raporte të mira ekonomike dhe potencialisht mund të kemi shkëmbime tregtare… Përfiton për shkak se rritet shkëmbimi tregtar, afaristët nga këto vende mund të eksportojnë në Kosovë dhe anasjelltas, prodhuesit vendor mund të eksportojnë në këto vende, rritja e eksportit të produkteve të prodhuara dhe shërbimeve, krijon një hapësirë të madhe për të vepruar ndërmjet bizneseve tona dhe të këtyre vendeve. Kjo do duhej të shfrytëzohej të njoftohen bizneset, të promovohet biznesi i Kosovës në këto vende. Vetëm marrëveshja nuk i zgjidh të gjitha problemet. Duhet Qeveria e Kosovës që të komunikojë në mënyrë të vazhdueshme me bizneset me qëllim që të informojë se kjo marrëveshje eksiton dhe të informohen bizneset për mundësitë dhe procedurat se si produktet tona mund të shkojnë në këto vende dhe se si me ardhur produktet e këtyre vendeve pa barriera në Kosovë”, thotë Mulaj.

Ndërsa përmendi edhe sfidën që është në kuadër të marrëveshjes, ku thuhet se produktet me përmbajtje shtazore do duhej t’i nënshtroheshin rregullave të BE-së.

Mulaj: Por ka edhe sfidat e veta, produktet me përmbajtje shtazore do duhej t’i nënshtroheshin rregullave të BE-së

“Por ka edhe sfidat e veta. Në kuadër të marrëveshjes ekziston edhe një klauzole ku thuhet se produktet me përmbajtje shtazore do duhej t’i nënshtroheshin rregullave të BE-së. Dihet që Kosova nuk ka të drejtë të eksportojë produkte me përmbajtje shtazore sikur ato që janë me origjinën që e kanë Kosovën dhe ato produkte të cilat nuk e kanë origjinë Kosovën, porse kanë origjinë BE-në por që përpunohen në Kosovë, dhe automatikisht janë të ndaluara të eksportohen në BE. Pra, një marrëveshje që krijon shumë mundësi për disa sektorë dhe një marrëveshje që realisht paralizon, ashtu siç paralizon edhe BE një sërë sektorësh të Kosovës që e kanë në një mënyrë për shkak të problemeve që ka shteti Kosovës, ose mos aftësisë që ka administrata publike e Kosovës për t’i kryer disa detyra të veta, nuk mund të eksportojmë as në këto vende të EFTA-s as të BE-së… Pra, sfidë është, bizneset të cilat prodhojnë produktet të cilat kanë përmbajtje shtazore, edhe produktet që kanë origjinë Kosovën por edhe ato produkte që nuk e kanë origjinë Kosovën, por e kanë vendet e BE-së janë të paralizuara”, shton Mulaj.

Një ndër prioritetet e marrëveshjes është fuqizimi i eksportit të produkteve kosovare, veçanërisht në sektorët e bujqësisë, industrisë së përpunimit dhe teknologjisë.

EFTA dhe Kosova nisën negociatat e tyre drejt një marrëveshjeje të tregtisë së lirë në qershor 2022. Midis gushtit 2022 dhe shtatorit 2024, u mbajtën katër raunde negociatash dhe disa takime ndërsesionale.

EFTA është një organizatë ndërqeveritare e Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës. Ajo u krijua në vitin 1960 nga shtatë shtetet e saj anëtare të atëhershme për promovimin e tregtisë së lirë dhe integrimit ekonomik ndërmjet anëtarëve të saj. Katër shtetet e EFTA-s janë të gjitha ekonomi të hapura dhe konkurruese të përkushtuara ndaj liberalizimit progresiv të tregtisë në arenën shumëkombëshe dhe në marrëveshjet e tregtisë së lirë./kp/

Read Previous

Zelensky thotë se Putini po dëshiron ta “manipulojë” Trumpin

Read Next

Trumpi dhe Grenelli në Kaliforni për të parë situatën pas zjarreve