Policia e Kosovës, të martën, ka ndaluar tri persona në Komunën e Leposaviqit, të cilët sipas raportit 24 orësh të Policisë kishin kaluar në mënyrë ilegale kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në rastin e parë policia ndaloi një person nën dyshimin se kishte kaluar kufirin nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës.
Sipas raportit të dyshuarit me targa të huaja i është gjetur edhe një sasi e mallit të kontrabanduar të produkteve ushqimore.
“Njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur një të dyshuar mashkull kosovar duke e drejtuar veturën me targa të huaja, i cili kishte hyrë nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollit të veturës është gjetur një sasi e mallit e kontrabanduar e produkteve ushqimore”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Rasti me vendim të prokurorit pas intervistimit ka vazhduar në procedurë të rregullt, ndërkohë malli është dërguar në terminalin doganor.
Ngjashëm po në Leposaviq, dyshohet për dy persona që sipas raportit policor, kishin kaluar kufirin nëpër rrugët ilegale.
“Njësiti policor gjatë patrullimit kanë ndaluar një veturë me targa të Serbisë ku gjendeshin dy të dyshuarit mashkull kosovar, vozitësi dhe një pasagjer. Të njëjtit dyshohet se kanë kaluar kufirin nëpër rrugët ilegale. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim policor.
Me urdhër të prokurorit rasti është dërguar në procedurë të rregullt. /Albanianpost.com