Aston Martin thuhet se po përgatitet të bëjë bujë në tregun e shoferëve të Formula 1, duke afruar në ekip pilotin kampion të Red Bull-it, Max Verstappen.
Skuadra britanike e drejtuar nga Lawrence Stroll-i dëshiron të nënshkruajë me Verstappen-in dhe tashmë po projekton një super ofertë prej 1 miliardë eurosh për të pasur në radhët e saj katër herë kampionin e botës.
Këtë e raporton ekskluzivisht gazeta britanike “Daily Mail” në një artikull të botuar këtë të enjte, ku thekson se Jefferson Slack, një nga njerëzit e besuar të pronarit të ekipit, tashmë ka nisur kontaktet me disa investitorë të cilëve u ka komentuar projekti.
Ëndrra e Stroll-it është të ketë sa më shpejt holandezin, por nga e thënë në të bërë ka në mes një det të tërë, si për shembull, kontrata në fuqi e holandezit me Red Bull-in.
Verstappen, piloti më i kërkuar në rrjet, ka një kontratë me Red Bull-in deri në vitin 2028. Ai gjithashtu ka përsëritur në disa raste se ëndrra e tij do të ishte të përfundonte karrierën e tij me skuadrën austriake.
Gjithsesi, ardhja e Verstappen-it në ekipin e Aston Martin-it do të ishte nxitja përfundimtare e një projekti të shënuar nga ardhja e Adrian Newey-t, “mbreti” i dizajnit në Formula 1. /Albanianpost.com