Dëmtimi i fibrave optike në Baltik, hetuesit evropianë kontrolle në anijen kineze

Zyrtarë nga Gjermania, Finlanda dhe Danimarka kanë hipur në bordin e anijes tregtare kineze që besohet se është e lidhur me dëmtimin e dy kabllove për transmetimin e të dhënave në detin Baltik.

Oficerë të policisë suedeze dhe kineze ishin gjithashtu pjesë e inspektimit në anijen “Ji Peng 3”, që ndodhet e ankoruar në ujëra ndërkombëtare mes Suedisë dhe Danimarkës.

Ministri i Jashtëm danez deklaroi se vizita duhet të ishte zhvilluar të mërkurën, por u anulua për shkak të motit të keq.

“Tani në bordin e anijes kineze ka përfaqësues nga të katërta vendet, si dhe një vëzhgues danez. Pritshmëritë tona janë që kur inspektimi i këtij grupi të përfundojë, anija të mundet të lundrojë drejt destinacionit të saj”, deklaroi Lars Løkke Rasmussen, ministër i Jashtëm i Danimarkës.

Dy kabllot, njëri nga Finlanda në Gjermani dhe tjetri nga Lituania në Suedi u dëmtuan në ujëra suedeze. Gazeta “Wall Street Journal” raportoi në nëntor se hetuesit dyshonin se “Ju Peng 3” kishte dëmtuar qëllimisht kabllot me fibra optike duke tërhequr spirancën e saj përgjatë shtratit të detit.

Anija ka qenë e ankoruar në detin Kategat për një muaj, kohë gjatë të cilës diplomatë nga Stokholmi dhe Pekini diskutuan aksesin në të.

Gjatë qëndrimit, mjeti lundrues u monitorua nga anije të ndryshme, përfshirë të marinës daneze. Muajin e kaluar, autoritetet kineze deklaruan se nuk kishin informacion për anijen, por mohuan përgjegjësinë për dëmtimin e kabllove. /Euronews.al/

Read Previous

​Kuvendet Kosovë-Shqipëri miratojnë deklaratën e përbashkët

Read Next

Gonxhja-Çeku: Shqipëri-Kosovë, projekte të përbashkëta kulturore