Osmani: Pokleku është Holokausti i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 54 civilët e vrarë në 22-vjetorin e Masakrës së Poklekut.

Osmani u shpreh se viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e fuqishme se në këtë fshat më 17 prill 1999 ndodhi Holokausti i Kosovës.

“Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve 24 fëmijë, ende janë të freskëta në bodrumin e shtëpisë në të cilën së pari u vranë, pastaj u dogjën dy herë radhazi. Në mesin e tyre, Lirie Muqolli gjashtë muajshe, jeta e së cilës u shua në filim të saj nga forcat policore e ushtarake të regjimit gjenocidal serb. Emri i saj ishte Liri, porse lirinë nuk e arriti!

Ajo dhe fëmijët e tjerë u vranë pse ishin shqiptarë, teksa bashkë me gra, djem e burra të tjerë prehen në një varrezë të përbashkët. Trupat e njomë të fëmijëve, bashkë me familjet e tyre, ishin bërë shkrumb e hi, për ta bërë të pamundur identifikimin e për ta fshehur krimin mizor. Ky krim kishte një qëllim të qartë: shfarosjen e zhdukjen e popullit tonë nga faqja e dheut. Prandaj, viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e fuqishme se në këtë fshat më 17 prill 1999 ndodhi Holokausti i Kosovës. Fëmijët e vrarë ishin të moshës gjashtë muajshe e deri në 17 vjeç. Bashkë me ta është vrarë edhe poeti i tyre, poeti i fëmijëve Ymer Elshani me gruan, katër djemtë, nënën dhe kunatën”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.

Sipas saj, dëshmitë dhe dëshmitarët e mbijetuar në Poklek dhe në Çikatovë ku u vranë 24 civilë shqiptarë, trgojnë qartë qëllimin shfarosës që kishte Serbia.

“Dëshmitë dhe disa dëshmitarë të mbijetuar në Poklek si dhe në masakrën në Çikatovë të Vjetër ku u vranë edhe 24 civilë shqiptarë po më 17 prill, qartë tregojnë qëllimin shfarosës që kishte Serbia”, shkroi më tej ajo./Gazeta Sinjali/

Read Previous

Agjërimi përmirëson sëmundjet autoimune

Read Next

Alpinistja shqiptare i bën të gjithë krenarë, ngjit me sukses Annapurnan në Himalaje