Katër nga rivalët kryesorë të Manchester City-t janë gati të kërkojnë dëmshpërblim nëse klubi anglez dënohet në procedurat e hapura nga Premier League për më shumë se 115 shkelje të rregullave financiare të ligës së lartë angleze.
Siç raporton gazeta britanike “The Times”, këto katër klube janë Manchester United, Liverpool, Arsenal dhe Tottenham. Në fakt, tashmë janë bërë hapat e parë për regjistrimin zyrtar të kërkesave të mundshme për dëmshpërblim nëpërmjet arbitrazhit përkatës.
Akuzat kundër City-t janë ende duke u hetuar nga një komision i pavarur rregullator, me një vendim që pritet në vitin 2025.
Nëse akuzat kundër City-t konfirmohen, klubet mund të kërkojnë kompensim për humbjen e të ardhurave që rezultojnë nga dështimi për të fituar ligën, dështimi për t’u kualifikuar në Champions League ose kompeticionet e tjera evropiane në disa sezone, që arrin në qindra miliona paundë.
Sipas rregullave të Premier League, klubet nuk mund të padisin njëri-tjetrin në gjykata, por mund ta bëjnë këtë përmes arbitrazhit.
Pesë klube kishin bërë kërkesa për kompensim kur Everton-i u gjobit për shkeljen e rregullave të përfitueshmërisë dhe qëndrueshmërisë sezonin e kaluar, Leeds, Leicester, Nottingham Forest, Burnley dhe Southampton, por këto pretendime janë tërhequr ose janë ende të pazgjidhura.
Së fundi, në këtë listë mungon Chelsea. Blutë janë vetë të përfshirë në një hetim të Premier League pasi folën për pagesat e supozuara të parregullta që datojnë nga epoka e Roman Abramovich-it. Kjo mund të çojë edhe në pretendime kompensimi nga klubet rivale, por në këtë rast nuk ka një afat të afërt.
Hetimi i Premier League për Chelsea-n u bë publik në qershor 2023, kështu që klubet rivale pritet të kenë kohë deri në qershor 2029 për të bërë ndonjë pretendim kompensimi.
Pagesat e supozuara të parregullta midis 2012 dhe 2019 po hetohen kundër Bluve, duke përfshirë ato që lidhen me transferimet e Willian, Samuel Eto’o dhe Eden Hazard.
Hetimi u hap pasi konsorciumi i drejtuar nga Todd Boehly dhe firma “Clearlake Capital” blenë klubin në maj 2022 dhe raportuan pagesat në ligë dhe UEFA. /Albanianpost.com