Plani i paqes në Ukrainë, ekipi i Trump hedh poshtë pretendimin e strategut republikan
Ekipi i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump është distancuar nga komentet e bëra nga një strateg republikan se propozimi i Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kishte të bënte me paqen dhe jo me territorin.
Në një intervistë me BBC, Bryan Lanza, i cili punoi në fushatën presidenciale të Trump, përshkroi disa nga pikat e supozuara të administratës së Trump për paqen dhe sugjeroi se rivendosja e territorit të humbur nuk ishte një prioritet.
“Nëse presidenti Zelenskyy vjen në tryezë dhe thotë, ne mund të kemi paqe vetëm nëse kemi Krimenë, ai na tregon se nuk është serioz. Krimea është zhdukur,” tha Lanza.
Por një zëdhënës i ekipit paszgjedhor të Trump tha se Lanza aktualisht nuk punonte për presidentin e zgjedhur dhe deklaratst nuk mund të jenë në emër të tij.
Gjatë fushatës, Trump pretendoi se mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë “brenda një dite” pa dhënë detaje se si do të arrihej kjo.
Por Trump gjithashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kievit mund t’i duhet t’i lëshojë territor Moskës për t’i dhënë fund më shumë se dy viteve të luftës.
Protesta në Valencia kundër menaxhimit të përmbytjeve nga qeveria spanjolle
Mijëra njerëz janë mbledhur në Valencia për të protestuar kundër reagimit të autoriteteve spanjolle ndaj përmbytjeve vdekjeprurëse të javës së kaluar.
Vendasit besojnë se situata ishte keqmenaxhuar, me autoritetet që reaguan ngadalë, teksa njoftimet për rreziqet e përmbytjes dërgoheshin shumë vonë.
Demonstrata, e organizuar nga grupe sociale dhe qytetare, denoncoi trajtimin e katastrofës dhe bëri thirrje për dorëheqjen e presidentit të qeverisë rajonale Carlos Mazón.
Shumë marshues brohorisnin “Mazón dorëhiqu!”, ndërsa të tjerë mbanin pankarta me mesazhe si “Ju na vratë!”
Disa protestues u përplasën me policinë përpara bashkisë së Valencias, ku protestuesit filluan marshimin e tyre drejt selisë së qeverisë rajonale.
Policia përdori shkopinj gome për t’i neutralizuar.
Numri i viktimave shkoi në 220 të shtunën, me 212 të raportuar vetëm në rajonin lindor të Valencias.
Miqtë dhe familja e turistes amerikane të vrarë në Budapest kryejnë homazhe, i dyshuari në paraburgim
Miqtë dhe familjarët e një turisteje amerikane 31-vjeçare, e cila u vra gjatë pushimeve në Hungari, kanë mbajtur homazhe për nder të kujtimit të saj. Familjarët vajtuan humbjen e tyre ndërsa një i dyshuar 37-vjeçar ishte në paraburgim të shtunën lidhur me ngjarjen e rëndë.
Viktima, Mackenzie Michalski nga Portland, Oregon, u raportua e zhdukur më 5 nëntor pasi u pa për herë të fundit në një klub nate në Budapest.
Policia nisi një hetim dhe shqyrtoi pamjet e sigurisë nga klubet e natës lokale ku vëzhguan Michalski me një burrë të identifikuar më vonë si i dyshuari për zhdukjes së saj.
Policia e ndaloi të dyshuarin, një shtetas irlandez, 37 vjeç, mbrëmjen e 7 nëntorit dhe gjatë marrjes në pyetje ai pranoi vrasjen.
Portugali, mijëra qytetarë protestojnë për paga dhe pensione më të larta
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta në dy qytete në Portugali për të kërkuar paga dhe pensione më të larta dhe përmirësime të shërbimeve sociale si strehimi dhe kujdesi shëndetësor.
Të thirrur nga Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve Portugez (CGTP), federata më e madhe e sindikatave në vend, marshime u zhvilluan në Porto dhe kryeqytetin, Lisbonë.
Sekretari i Përgjithshëm i CGTP-së, Tiago Oliveira, tha se protestat ishin të drejtuara si ndaj sektorit publik ashtu edhe atij privat dhe me këto protesta përfundon një muaj aktivizmi nën siglën, “Rrisni pagat dhe pensionet, zgjidhni problemet e vendit”.
Oliveira tha se vështirësitë e përditshme me të cilat përballen punëtorët rrjedhin nga vendimet politike dhe vuri theksin te strehimin i papërballueshëm dhe aksesin i kufizuar në kujdesin shëndetësor si shqetësime kryesore.
Ai kritikoi gjithashtu një marrëveshje të fundit që qeveria arriti me Sindikatat e Përgjithshme të Punëtorëve (UGT) dhe katër konfederata të punëdhënësve, e cila propozon rritjen e pagës minimale mujore në 870 € deri në 2025. Anëtarët e CGTP u lanë jashtë këtyre negociatave.
“Ka buxhet. Problemi është shpërndarja e tij dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të siguruar që një pjesë më e madhe të shkojë për punëtorët që i prodhojnë ato çdo ditë,” tha një protestues në Lisbonë.
Ndërsa qytetarët në Porto u ankuan se arsimimi nuk iu kishte garantuar një punë dhe pagë të mirë./anabel