Presidenti polak dhe i Koresë së Jugut takohen ndërsa Pheniani mbështet Rusinë

Vizita e Andrzej Duda në Korenë e Jugut u përqendrua në bashkëpunimin në mbrojtje pasi Koreja e Veriut dërgoi trupa në Rusi.

Koreja e Jugut “nuk do të rrijë duarkryq” pasi Koreja e Veriut dyshohet se dërgoi trupa për të mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës, u zotua lideri koreano-jugor pas takimit me presidentin e Polonisë për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje.

Takimi midis presidentit të Koresë së Jugut Yoon Suk-yeol dhe homologut të tij polak Andrzej Duda erdhi një ditë pasi zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut thanë se besojnë se rreth 3,000 trupa të Koresë së Veriut janë dislokuar në Rusi dhe po stërviten në disa lokacione.

Gjatë samitit të tyre, Yoon dhe Duda ranë dakord të “mbështesin në mënyrë aktive” dërgesat shtesë të pajisjeve ushtarake të Koresë së Jugut në Poloni, duke përfshirë një marrëveshje të re për tanket koreane K-2 që qeveritë shpresojnë ta finalizojnë brenda këtij viti, tha zyra e Yoon.

Polonia ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh armësh me Korenë e Jugut në dy vitet e fundit për të blerë tanke, obus dhe raketahedhës në një përpjekje për të forcuar aftësitë e saj ushtarake pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Një provokim që kërcënon sigurinë globale”

Ndërkohë, agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut u tha ligjvënësve se Koreja e Veriut ka të ngjarë të synojë të dërgojë gjithsej 10,000 trupa në Rusi deri në fund të vitit.

Moska dhe Pheniani kanë mohuar praninë e trupave të Koresë së Veriut.

“Ne ramë dakord që vendosja e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, e cila është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kartën e OKB-së dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është një provokim që kërcënon sigurinë globale,” tha Yoon pas samitit.

Yoon tha se Koreja e Jugut do të punojë me aleatët dhe partnerët për të përgatitur kundërmasa që mund të ndërmerren në faza në varësi të shkallës së bashkëpunimit ushtarak midis Phenianit dhe Moskës.

Zyra e Yoon tha në fillim të kësaj jave se Koreja e Jugut po shqyrton opsione të ndryshme diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, duke përfshirë furnizimin e Ukrainës me sisteme armësh mbrojtëse dhe sulmuese.

Koreja e Jugut, një eksportues në rritje i armëve, ka ofruar ndihmë humanitare dhe mbështetje të tjera jovdekjeprurëse për Ukrainën dhe ka mbështetur sanksionet ekonomike kundër Moskës. Por Seuli nuk i ka furnizuar drejtpërdrejt Ukrainës me armë, duke përmendur një politikë të gjatë të mos furnizimit me armë për vendet e përfshira në mënyrë aktive në konflikt./euronews/

Read Previous

A do ta dëmtonin Evropën tarifat tregtare të Donald Trump?

Read Next

Ish-presidenti finlandez rekomandon një shërbim sekret të BE-së