Ligat dhe lojtarët kundër FIFA-s: Paraqesin ankesë në Komisionin e BE-së

Shoqata e Ligave Evropiane dhe Fifpro Europe, sindikata e futbollistëve, së bashku me La Liga, kanë paraqitur një ankesë në Komisionin e BE-së kundër FIFA-s për abuzim me pozitën dominuese në imponimin e kalendarit të ndeshjeve ndërkombëtare 2025-26, duke iu referuar veçanërisht Kupën e Botës për klube 2025 dhe në Kupën e Botës 2026, raporton “Ansa”.

“Kalendari ndërkombëtar i futbollit tepër i ngopur e vë në rrezik sigurinë dhe shëndetin e lojtarëve dhe kërcënon qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale të garave të rëndësishme kombëtare të vlerësuara prej brezash nga tifozët në Evropë dhe në mbarë botën”, denoncojnë ligat dhe Fifpro.

Ankesa, e detajuar dhe e mbështetur me prova, iu dorëzua zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme për Konkurrencën e Komisionit Evropian, me veprime ligjore që u konsideruan “të nevojshme për të mbrojtur sektorin e futbollit evropian”.

Dorëzimi pason një shqyrtim të gjerë të çështjes nga avokatët që përfaqësojnë Fifpro Europe dhe Ligat Evropiane, të cilët miratuan ankesën në korrik.

Ligat dhe sindikata e lojtarëve nënvizojnë “konfliktin e interesit” të FIFA-s, duke denoncuar mungesën e përfshirjes së tyre në vendimet në kalendar dhe akuzojnë Federatën Ndërkombëtare për abuzim me pushtetin e saj qeveritar për të promovuar interesat e veta tregtare.

Jurisprudenca e fundit evropiane, përfshirë vendimet e fundit të Gjykatës së BE-së në çështjet Super League dhe Diarra, nënvizohet, “sqaron se, duke pasur parasysh konfliktin e saj të interesave, FIFA duhet të ushtrojë funksionet e saj rregullatore në mënyrë transparente, objektive, jodiskriminuese dhe proporcionale”.

Në frontin e kalendarëve ndërkombëtarë, palët ende denoncojnë, “rregullat dhe sjellja e FIFA-s bien shumë më poshtë se çfarë kërkohet nga ligji i BE-së dhe dëmtojnë interesat ekonomike të ligave kombëtare dhe shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve në futbollin evropian”.

Së fundi, shoqta, Fifpro dhe La Liga thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Brukselin dhe institucionet përkatëse. /Albanianpost.com

Read Previous

Sa aeroplanë F-16 ka në dispozicion Ukraina?

Read Next

“L’Echo Touristique”: Shqipëria – vendi mesdhetar me ambicie të mëdha në turizëm