“Procesi u hap pak ditë më parë me një letër drejtuar të gjitha federatave. Presim që deri në fund të muajit të shprehet interesi. Ka një afat deri në fund të tetorit, vetëm atëherë do të dimë se cilat aplikime kemi dhe çfarë mund të presim”.
Kështu u shpreh Giorgio Marchetti, zëvendës sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, i ftuar i “Radio Anch’io Sport” mbi mundësinë e kandidaturave të reja italiane për finalen e Champions League 2027, pas vendimit për ta revokuar zhvillimin e saj në “San Siro” të Milanos.
Drejtuesi i UEFA-s foli edhe për problemin e kalendarit të stërmbushur me ndeshje, në të gjitha garat. Ky është shqetësim madhor i klubeve, të cilët po i humbasin përditë futbollistët nga dëmtimet. Vetë lojtarët janë ankuar se po luajnë shumë ndeshje, nga tri të tilla në javë, diçka e papërballueshme për ta.
Giorgio Marchetti shtoi: “Kalendari është një nga kompleksitetet e kohës sonë, është një temë e ndjeshme. Duhet bërë një arsyetim i përgjithshëm, i cili merr parasysh edhe elementë më objektiv. Është e vërtetë që ka më shumë ndeshje në kalendarët e sotëm, por ka edhe faktorë të tjerë shtesë lehtësues, të tillë si listat më të mëdha të skuadrave me lojtarë.
Kjo nënkupton mundësinë e rotacionit më të madh në formacion. Të dhënat thonë se përballë një numri më të madh ndeshjesh të luajtura, numri i minutave të luajtura nga futbollistët individualë mbetet në thelb i qëndrueshëm për sezonin 2023-2024 në Europë. 11 më të mirët e çdo skuadre kanë luajtur afërsisht 70% të minutave në total. Nga sezoni në sezon, rritja e numrit të lojtarëve të përdorur nga çdo ekip është afërsisht 10%”. /Telesport.al/