Katër persona arrestohen për narkotikë

Katër persona janë arrestuar për substanca narkotike në raste të ndara.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, ku njoftohet se në Prizren janë arrestuar dy persona.

Nga PK-ja theksuan se përpos lëndëve narkotike janë konfiskuar edhe gjëra të tjera.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe nga ta janë konfiskuar: 8.40 gramë kokainë, 19.94 gramë marihuanë, një pistoletë lodër, dy thika, një grinder, tre celularë, një motor, 461,95 €, 20 franga zvicerane”, thuhet në raport.

Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Edhe në rastin tjetër në Gjakovë një person u arrestua, gjatë kontrollit iu gjet sasi e narkotikëve dhe iu konfiskua një telefon dhe një peshore.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar: 668.9 gramë marihuanë, 510 €, një celular dhe një peshore”.

Në të njëjtin qytet, u arrestua edhe një person tjetër.

“Gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar: 051 gramë marihuanë, një grinder dhe një pako rizlla”, thanë nga PK-ja.

Në Zveçan është arrestuar një person për armëmbajtje pa leje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë me 46 fishekë, një revole me 72 fishekë dhe një xhaketë me mbishkrimin (civilna zastita)”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në raport potencohet edhe që ka ndodhur një aksident i trafikut me fatalitet, si pasojë ka vdekur një person.

“Sot më 07.10.2024 rreth orës 19:30 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull  kosovar, i cili ishte në trajtim mjekësor si pasojë e goditjes nga një veturë më 30.09.2024”.

Në një rast tjetër theksohet se një shtetas i Shqipërisë është arrestuar për sulm seksual në Ferizaj.

“Më 08.10.2024 lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari shtetas i Shqipërisë dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Në Graçanicë një grua ka njoftuar autoritetet për kanosje.

“Ankuesja kosovare, ka njoftuar policinë se djali i saj vazhdimisht u shkakton probleme në familje”, kanë thënë nga PK-ja.

Për 24 orë janë raportuar edhe tri raste të dhunës në familje. /Albanianpost.com

Read Previous

PSG, Luis Enrique: Jemi më mirë se vjet, notat vihen në fund të sezonit

Read Next

Protesta e opozitës me dhjetë policë të plagosur e një protestues të arrestuar