Ndërroi jetë instrumentisti i mirënjohur, Shaqir Hoti

Të shtunën e 10 prillit Kosova humbi një ndër instrumentistët e mirënjohur, Shaqir Hotin që kontribuoi deri në frymën e fundit për muzikën shqipe por me theks të veçantë në folklorin shqiptar. Pas vetes la një sërë instrumentesh të krijuara nga vet ai, mbi të gjitha la pas shembullin e një artisti të kompletuar dhe dashurinë për muzikën.

Shaqir Hoti ishte i lindur më 1936, në fshatin Rogovë të Hasit. Që në moshën 6-vjeçare luajti me instrumentet aerofone si fyej, kavalle, bishtnica, pipëza e të tjera.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje e të mesmen e muzikës në Prizren, në flaut.

Një kohë punoi në fshatin e lindjes duke kontribouar në organizimin e jetës kulturore. Më pas u angazhua në orkestrën popullore të Radio Prishtinës si flautist i parë. Mori pjesë në festivale me karakter vendor dhe ndërkombëtar me instrumente frymore.

Mbetet e veçantë paraqitja në Berlinin Perëndimor më 1969, në një festival ndërkombëtar ku me këngën “Baresha”, të interpretuar nga Nexhmije Pagarusha, fituan çmimin e parë.

Prej se nisi të merrej me muzikë, s’iu nda asaj as në moshë të shtyrë. Inovator në mjeshtërinë e prodhimit të instrumenteve kryesisht frymore, shtëpinë e tij do ta shndërronte në një muze unik të muzikës.
 Dhe e mbushi atë (jetën) me krijime, interpretime dhe studime të paçmueshme në kulturën e traditës sonë të pastër. Mbi 2000 instrumente janë gdhendur nga duart e tij, mijëra melodi janë luajtur nga gishtat e tij, qindra këngë e valle mbajnë vulën e tij, shpirtin e tij.

Kujtimi për Shaqir Hotin do mbetet gjithmonë i gjallë në shoqërinë tonë falë kontributit dhe veprave që la pas.

Read Previous

Janë arrestuar dy persona pasi rrahën një grua

Read Next

“Në kërkim të Venerës” nga Norika Sefa triumfon dyfish!