Mohamed Salah në prag të vendimit të madh, interes i lartë nga Arabia Saudite

Mohamed Salah raportohet se ka marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij te Liverpooli, me ish-bashkëlojtarin e tij, Sadio Mane, që ka ndikuar në këtë vendim.

Superylli egjiptian është në vitin e fundit të kontratës së tij në Anfield dhe gjatë një interviste të fundit për Sky Sports, ai la të kuptohej se sezoni 2024-25 mund të jetë i fundit për të në Merseyside. Ai tha: “Sinqerisht, pata një verë të mirë. Kam pasur shumë kohë për të qëndruar me veten time, duke u përpjekur të mendoj pozitivisht, sepse siç e dini, ky është viti im i fundit në klub. Thjesht dua ta shijoj, nuk dua të mendoj për këtë, por ndjehem i lirë të luaj futboll, do të shohim vitin e ardhshëm.”

Salah, i cili nënshkroi zgjatjen e fundit të kontratës në verën e vitit 2022, gjithashtu tha se “nuk dua të mendoj për të ardhmen”, me 32-vjeçarin të përqendruar në të tashmen. Sipas Liverpool Echo, kjo do të thotë që ai synon t’i afrohet Ian Rush-it (346 gola) në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të Reds, ku ai ndodhet në vendin e pestë me 214 gola – ndërsa synon gjithashtu të ngjitet në pesëshen më të mirë të Premier Ligës.

Është shfaqur interes nga Liga Pro Saudite, por Salah dhe familja e tij janë të vendosur në Angli. 32-vjeçari është i gatshëm të refuzojë ofertat joshëse nga Lindja e Mesme nëse mund të arrihet një marrëveshje e re në Anfield – me kontratën e tij aktuale që kap vlerën prej 350,000 £ në javë.

Salah gjithashtu ka parë ish-shokun e tij të skuadrës, Mane, të ketë vështirësi që nga largimi nga Liverpooli – me senegalezin që tani luan përkrah Cristiano Ronaldos te Al-Nassr. Një burim i ka thënë Echo: “Salah nuk dëshiron të jetë si Sadio në Arabinë Saudite. Edhe nëse kjo do të thotë më shumë para.” Prioriteti i tij tani për tani është të zgjasë atë që pritet të bëhet një lidhje tetëvjeçare me gjigantët e Premier Ligës. /Goal.com/

Read Previous

Komuna e Gjakovës nënshkruan kontratën për tribunën perëndimore të Stadiumit të Qytetit

Read Next

​Shefi i BE-së në Kosovë takohet me Kurtin, ja çka diskutuan