Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se mbështetja për Ukrainën në këtë kohë – e cila po përballet ne agresionin rus – është qenësore.
Këto komente, Maqedonci i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që ka pritur në takim pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët ishin pjesë e kontingjentit pjesëmarrës në operacionin ndërkombëtar “Interflex”.
Në këtë operacion ushtarakët e FSK-së për gjashtëmuaj me radhë përkrah Ushtrisë Britanike dhe dymbëdhjetë shteteve të tjera pjesëmarrëse ofruan trajnime për Forcat e Armatosura Ukrainase në nivelin taktik e luftarak.
Për performacën e jashtëzakonshme dhe kontributin e dhënë në kuadër të operacionit Interflex, Ministri Maqedonci ka njoftuar se ka dekoruar me medalje për “Pjesëmarrje në Operacione Ndërkombëtare” pjesëtarët e FSK-së pjesëmarrës në këtë operacion.
“Mirënjohje për ushtarakët që me profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e treguar gjatë shërbimit në këtë operacion përfaqësuan denjësisht Republikën e Kosovës!”, shkroi ai.
Në këto periudhë, sipas tij, “mbështetja ofruar Ukrainës është qenësore që përballë agresorit e drejta të triumfoj”.
Që nga fillimi i agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, Kosova është rreshtuar në mbështetje të plotë të Kievit zyrtar, duke qëndruar në një linjë me vendet perëndimore. /Albanianpost.com