Arrestohen 14 persona për përdorim të armëve në festa familjare në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se në vikend ka arrestuar 14 persona pasi dyshohet se kanë përdorur armë në ahengje familjare.

Lajmi është bërë i ditur përmes komunikatave për media nga Policia.

Gjashtë nga këta persona janë arrestuar në një aheng familjar në fshatin Koshare të Ferizajt, ku janë sekuestruar edhe disa mjete.

“Policia i ka shoqëruar shtatë persona në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues,  me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj,  gjashtë persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore, ndërsa si provë materiale janë sekuestruar katër armë të zjarrit, një pushkë gjysme automatike, tri pistoleta dhe sasi e municionit”, kanë thënë nga PK-ja.

Edhe në Pejë për këtë vepër penale janë arrestuar pesë persona, ku janë sekuestruar disa armë.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, gjatë vikendit ka pranuar informacione se ka të shtëna në ahengje familjare në Pejë dhe Klinë, nga njësitet relevante janë gjetur dhe sekuestruar: një armë pistoletë Bloë Tr 17 cal 9mm, një armë pistoletë Bloë Tr 17 cal 9mm, një armë pistoletë TT, një karikator të së njëjtës armë, një armë pistoletë Zoraki cal 9mm, një karikator të së njëjtës armë, pesëdhjetë e nëntë gëzhoja”, thuhet në komunikatë.

Katёr nga personat e dyshuar pas intervistimit janë dërguar nё mbajtje pёr 48- orё, ndёrsa njёri nga tё dyshuarit është liruar nё procedurё te rregullt.

Meqë përdori armë, një person tjetër është arrestuar të dielën në Kamenicë dhe si pasojë një person ka pësuar lëndime.

“Gjatë një ahengu familjar si pasojë e të shtënave me armë zjarre një person mashkull kosovar ka pësuar lëndime. I njëjti ka pranuar tretman mjekësorë në qendrën emergjente të Spitalit rajonal të Gjilanit dhe sipas mjekut kujdestar i lënduari ka lëndime të lehta trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftim.

Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar katërmbëdhjetë  gëzhoja të armës si dhe dy armë zjarri të kalibrit 9mm.

Me urdhër të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Gjakovë, në dy raste të ndara, Policia, ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar dy armë.

“Ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në rrugën “Ardhmëria” fshati Madanaj-Gjakovë, ka arritur të identifikoj dhe arrestoj një të dyshuar (R. K., i lindur në vitin 1983 mashkull kosovar) mbi dyshimin se i njëjti kishte shtënë me armë zjarri. Në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një pistoletë dhe katër gëzhoja”, thuhet në njoftim.

“Në rastin e dytë në fshatin Skivjan në Gjakovë është arrestuar i dyshuari K.B., mashkull kosovar i lindur në vitit 1985 pasi që në një aheng tjetër familjar kishte shtënë me armë zjarri. Në posedim të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë (e cilat dyshohet të jetë përdorur në rast) si dhe janë gjetur gjashtë gëzhoja”.

Nga PK-ja, kanë theksuar se posedimi dhe përdorimi i armëve në përgjithësi e në veçanti në festa familjare është i ndaluar me ligj dhe iu kanë bërë thirrje qytetarëve të mos i përdorin këto mjete të rrezikshme. /Albanianpost.com

Read Previous

Blinken: Fitorja e Maduros në Venezuelë nuk reflekton vullnetin e popullit

Read Next

“111-vjetori i Konferencës së Londrës”, njohja ndërkombëtare e Shqipërisë dhe lindja e çështjes së Kosovës