Rruga e Kamala Harrisit për të bërë histori

Kamala Harris mund të bëhet presidentja e parë në SHBA pasi ka kaluar vite të tëra në përpjekje për të thyer barriera racore dhe gjinore. Harris kishte lindur në Oakland të Kalifornisë nga prindër që ishin takuar si aktivistë të të drejtave civile. Vendlindja e saj dhe Berkeley aty pranë ishin në qendër të lëvizjeve për drejtësinë racore dhe sociale të asaj kohe, dhe Harris ishte njëkohësisht një produkt dhe një përfituese e tyre.

Ajo tashmë ka thyer barriera dhe tani Kamala Harris mund të thyejë disa të tjera, pasi presidenti Joe Biden i ka dhënë fund befas garës së tij për rizgjedhje dhe e ka miratuar zëvendëspresidenten e tij për kandidate presidenciale.

Bideni ka njoftuar të dielën se po tërhiqej pasi një performancë katastrofike në debatin me kundërkandidatin e tij republikan, Donald Trump, nxiti frikën se 81-vjeçari ishte shumë i dobët për një mandat të dytë.

Harris është gruaja e parë dhe po ashtu e para me ngjyrë që shërbeu si zëvendëspresidente. Nëse ajo bëhet kandidate demokrate dhe mposht kandidatin republikan Donald Trump në nëntor, ajo do të jetë gruaja e parë që do të shërbejë si presidente.

Bideni ka thënë të dielën se zgjedhja e Harrisit si kandidate e tij ishte vendimi më i mirë që kishte marrë teksa e ka mbështetur atë si pasuese të tij.

“Demokratë – është koha të mblidhemi dhe ta mundim Trumpin. Le ta bëjmë këtë”, ka shkruar ai në rrjetin social X.

Harrisi e ka përshkruar vendimin e Bidenit për t’u larguar si një “akt vetëmohues dhe patriotik”, duke thënë se ai po e vendos popullin amerikan dhe vendin mbi çdo gjë tjetër.

“Jam e nderuar që kam miratimin e presidentit dhe synimi im është ta fitoj këtë nominim. Gjatë vitit të kaluar unë kam udhëtuar në të gjithë vendin, duke folur me amerikanët për zgjedhjen e qartë në këto zgjedhje të rëndësishme”, është shprehur Harris.

Demokratët e shquar ndoqën drejtimin e Bidenit duke i dhënë përkrahje shumë shpejt Harrisit të dielën. Megjithatë, emërimi i saj nuk është përfundimtar për shkak se ka pasur ide se partia duhet të marrë në konsideratë kandidatët e tjerë përpara konventës së saj në Çikago muajin e ardhshëm.
Një sondazh i fundit nga qendra AP-NORC për kërkimin e çështjeve publike zbuloi se rreth 6 në 10 demokratë besojnë se Harrisi do të bënte një punë të mirë si presidente. Rreth 2 në 10 demokratë nuk besojnë se do ta bënte, dhe 2 në 10 të tjerë thonë se nuk dinë mjaftueshëm për të thënë diçka rreth kësaj.

Sondazhi tregoi se rreth 4 në 10 të rritur amerikanë kanë një mendim të favorshëm për Harrisin, emri i të cilës shqiptohet “COMM-a-la”, ndërsa rreth gjysma kanë një opinion të pafavorshëm./koha.net/

Read Previous

Italia do të dërgojë ambasador në Siri pas një dekade

Read Next

Edi Rama: Bregdeti shqiptar po frekuentohet nga vizitorë edhe prej Argjentinës