Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të radhës, të mërkurën, e ka shpallur 11 korrikun si Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.
Paraprakisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova po i bashkohet memorializimit të 11 korriku si Ditë e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
“Ky memorializim është i bazuar në rezolutën që e kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës që dënon gjenocidin e Srebrenicës, në rezolutën përkatëse të Parlamentit Evropian e në vijim në rezolutën që u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, tha Kurti, në mbledhjen e 212 të Qeverisë së Kosovës.
Ky veprim, në vlerësimin e tij, është fisnik e i duhur në emër të Kosovës.
“Të universales sonë njerëzore, e të dëshirës sonë për drejtësi dhe paqe, që të mos harrohet e të mos përsëritët gjenocidi as në Bosnje e Hercegovinë, as në Kosovë e as kund tjetër në rajonin tonë e në botë”.
Për viktimat në Srebrenicë, Qeveria e Kosovës paraprakisht ka mbajtur edhe një minutë heshtje./Albanianpost.com