KQZ hap tender për kamerat që do të vendosen nëpër vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është publikuar njoftimi për kontratë për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për furnizim me kamera dhe pajisje përcjellëse për regjistrimin e aktivitetit gjatë procesit të votimit dhe numërimit.

Afati për dorëzim të ofertave do të përfundojë më 11 korrik dhe KQZ njofton se të gjitha detajet tenderuese janë publikuar në platformën E-prokurimi.

Vlera e parashikuar për këtë tender është 1 milion e 55 mijë euro, raporton Gazeta Express.

Lidhur me çështjen e kamerave, KQZ ka thënë se:

– Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së  integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim;

– Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit;

– Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullësi me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese;

– Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.

Në votimin e 23 prillit në katër komunat në Veri të Kosovës, KQZ vendosi, për herë të parë, kamera në vendvotime.

Ato u huazuan nga KQZ në Shqipëri./Express

Read Previous

Szunyog: Reformat e energjisë, BE-ja ndihmon Kosovën me 75 milionë euro

Read Next

Nis testimi mjekësor dhe psikologjik i pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Kosovës