Kombëtarja e Shqipërisë ishte e pafat teksa mësoi kundërshtarët në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian, Euro 2024. Kuqezinjtë u pozicionuan në Grupin B së bashku me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.
Edhe pse shihet qartësisht se kundërshtarët e Shqipërisë janë të një niveli tjetër në krahasim me djemtë e Sylvinho-s, duket se dhe kompanitë e basteve nuk besojnë te “mrekullia kuqezi”.
Sipas “Football.com”, Spanja ka shanset më të larta për të përfunduar në krye të grupit me 75 për qind. Pas tyre vjen Italia me 58 për qind. Kroacia qëndron e treta me 53 për qind. Ndërsa, Shqipëria në fund me vetëm 14 për qind.
Turneu final i UEFA Euro 2024 është planifikuar të zhvillohet nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024.
Si vendi pritës, Gjermania është vendosur në Grupin A dhe do të zërë pozitën A1. Prandaj ata do të luajnë në ndeshjen hapëse në “Allianz Arena” të premten më 14 qershor.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Italisë më 15 qershor në stadiumin e “Signal Iduna Park” të Borussia Dortmund-it, ndërsa më 19 qershor do të përballet me Kroacinë në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndeshja e fundit e grupit do të jetë ajo ndaj Spanjës, që do të luhet më 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena”. /Albanianpost.com