Szunyog: Kosova duhet të punojë nga afër me fqinjët e saj

Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) mban Forumin e Parë të Investimeve të Qëndrueshme, ku po marrin pjesë përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë. Në hapje të këtij forumi u tha se në Kosovë ka klime të përshtatshme për investime.

“Jemi mbledhur këtu për të diskutuar për investimet e qëndrueshme të cilat janë më të nevojshme si asnjëherë më parë, duke u ballafaquar sidomos me sfidat mjedisore dhe ekonomike. Ne si Këshill kemi nderin t’i përkrahim këto iniciativa”, tha Emrush Ujkani, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian.

Luan Dalipi, shef i kabinetit të Kryeministrit tha së si qeveri kanë bërë përmirësime në zhvillimin e investimeve të qëndrueshme .

“Vlerësojmë se si qeveri kemi qenë në gjendje të përforcojmë disa vlera të mira që kanë rezultuar me arritjen e disa caqeve, sikurse luftimi i korrupsionit që janë të rëndësishme për zhvillimin e bizneseve”, tha Dalipi.

Kurse Tomas Szunyog – shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se zhvillimi i  investimeve të qëndrueshme janë të domosdoshëme.“Zhvillimi i investimeve të qëndrueshme janë të domosdoshme. Zbatimi i zhvillimit dhe investimit të qëndrueshëm është diçka e domosdoshme sidomos nga pikëvështrimi i ikjes së trurit. Po shohim gjëra pozitive që po ndodhin në sektorin e energjisë”, tha Szunyog.

Sipas tij, Kosova duhet të punojë nga afër me fqinjët e saj.

“Kosova dhe partnerët e tjerë në rajon mund të kenë dobi të madhe nga plani i zhvillimit. Për Kosovën dhe Serbinë do të ketë disa kushte shtesë, në mënyrë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve. Në këtë drejtim, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve paraqitet shumë në planin zhvillimor. Kështu që inkurajojmë Kosovën që ta heqë ndalimin e produkteve serbe sa më shpejtë që është e mundshme”, ka thënë ai. Për klimën e investimeve, ai ka thënë se nevojitet përkujdesje për investitorët në Kosovë.

Dita e parë e Forumit për Investime të Qëndrueshme, ka vazhduar edhe me panele diskutimi. /RTK/

Read Previous

Kosovës iu avancua statusi, por cili është roli dhe funksioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s?

Read Next

`National Geographic`: Vjosa, zemra e egër blu e Shqipërisë