Vijon megaoperacioni i SPAK, mes të arrestuarve emra në zë të botës së krimit

Një megaoperacion i zbatuar nga Policia e Shtetit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK ka marrë vend të premten e 17 majit, që prej orëve të para të mëngjesit, si një goditje ndaj krimit të organizuar në gjithë vendin.

Siç raportohet, janë rreth 50 urdhër-arreste të lëshuara nga SPAK, për persona të dyshuar të përfshirë në veprimtari dhe grupe kriminale.

Aksioni po zhvillohet në disa rajone, duke përfshirë Lezhën, Vlorën, Niklën dhe Durrësin.

Mes të përfshirëve, mendohet se janë edhe anëtarë të familjes Avdylaj. Ndërsa, kontrolle janë bërë edhe në banesën e Durim Bamit dhe Valter Bamit, emra të njohur për drejtësinë.

Disa kontrolle mësohet se janë zhvilluar edhe në Vlorë, në banesën e Fatmir Hysenit.

Nga ana tjetër, ish-deputeti socialist, Arben Ndoka, është shpallur në kërkim.

Vetë Ndoka ndërkaq, ka pasur çështje të hapura me drejtësinë edhe më herët, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar pasurinë e tij, në tetor të vitit 2018, në kuadër të operacionit “Volvo 4”, si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash.

Në pranga mësohet se ka rënë edhe biznesmeni nga Shkodra, Mir Brruli, i cili është i dyshuar për veprimtari kriminale.

Ai është një i afërm i një tjetër të arrestuari më parë, biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Pak kohë më parë një prej bizneseve të Mir Brulit në pjesën e Vilunit në plazhin e Velipojës u shemb nga IKMT si ndërtim pa leje. Mir Bruli është i njohur për bizneset në plazhin e Velipojës, lokale, restorante dhe hoteleri ndërsa është i dyshuar nga SPAK si i përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale.

Po ashtu, ndër emrat e lakuar për t’u arrestuar është edhe ai i Elvis Doçit, i njohur me nofkën Visi i Pojës.

Durrsaku është një emër i njohur për drejtësinë, i cili mendohet se është i përfshirë në disa ngjarje kriminale, përfshi vrasjeve. /Albanianpost.com

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Vendoset stadiumi ku do të luhet finalja e Kupës së Kosovës

Read Next

Kurti: Platforma E-Komuna u mundëson qytetarëve shërbime më të mira