Në 20 vjetorin e valës më të madhe të zgjerimit të Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka përmendur Ballkanin Perëndimor si një rajon që ka shansin historik për të lidhur të ardhmen me BE-në.
“20 vjet më parë, BE pranoi 10 vende, në hapin më të madh të asaj që njihet si ribashkimi evropian, pas dekadash ndarjeje që nga Lufta e Dytë Botërore. Ishte vala më e madhe e zgjerimit të BE-së. Në atë kohë pranoheshin Estonia, Lituania, Letonia, Hungaria, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Malta dhe Qiproja’.
Ai theksoi se “puna jonë për ribashkimin e kontinentit nuk ka përfunduar”.
“Ne e dinim atë përpara vitit 2022 dhe e dimë edhe më mirë sot, për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës. Në vitet e fundit, miliona evropianë kanë treguar vullnetin dhe shpresën për t’iu bashkuar Projekti i BE-së, Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë mundësi historike për të lidhur të ardhmen e tyre me Bashkimin Evropian. Zgjerimi i BE-së është një politikë transformuese që rrit sigurinë, drejtësinë dhe demokracinë të evropianëve”.
Borrell tha se BE-ja dhe vendet kandidate bashkëpunojnë për sigurinë dhe mbrojtjen, për të përballuar sfidat e shumta gjeopolitike së bashku.
“BE-ja dhe kandidatët bashkëpunojnë për sigurinë dhe mbrojtjen, në mënyrë që të përballemi së bashku dhe më mirë me sfidat e shumta gjeopolitike. Nga shtetet e ardhshme anëtare kërkohet të forcojnë institucionet e tyre demokratike dhe të mbështesin të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, thuhet në deklaratën e tij për këtë përvjetor.
Mes tjerash ai ravijëzoi se BE po punon gjithashtu për të reformuar veten, duke u përgatitur sot për Bashkimin e së nesërmes.
“Ne aspirojmë jo vetëm për një bashkim më të madh, por një më të fortë, të aftë për të mbështetur dhe projektuar vlerat tona të përbashkëta në mbarë botën. Vendet kandidate dhe BE-ja kanë mundësinë historike për të ndërtuar një Bashkim Evropian më të madh, më të thellë dhe më të fortë”. /Albanianpost.com