Bakoyannis: Asnjë kandidati nuk i është kërkuar përmbushja e kaq shumë parakushteve sikurse Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, nëpërmjet një artikulli autorial të botuar në platformën “European Western Balkans” të mërkurën, deklaroi se asnjë vendi kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë që të përmbushë kaq shumë kushte në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë të rëndësishme evropiane sikurse në rastin e Kosovës.

“Asnjë vendi kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për debat mbi anëtarësimin në këtë organizatë. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan pro raportit”, shkroi Bakoyannis pas sulmeve që erdhën nga zyrtarët serbë pse rekomandoi anëtarësimin e Kosovës.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Kjo çështje mori epilog kur Qeveria e Kosovës vendosi në mars t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor që manastirit t’i jepej toka në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme kosovare refuzuan ta zbatonin vendimin e gjykatës. Por konsiderohet se Kosova ka ende çështje për të adresuar.

Megjithatë, raportuesja greke kujtoi se raporti i kushtohet vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për të sjellë edhe 2 milionë evropianë të tjerë nën ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, derisa shtoi se nuk bëhet fjalë për pranimin e shtetësisë së Kosovës.

“Në fakt, gjatë fjalës sime në seancë plenare, nënvizova se nëse do të kisha qenë e detyruar nga Komiteti i Ministrave të shpreh mendimin tim për shtetësinë, nuk do ta kisha marrë kurrë raportin dhe do të rreshtohesha me pozicionin e vendit tim, duke mohuar çdo konsideratë për anëtarësimin e Kosovës në organizatë”, u shpreh Bakoyannis. /Albanianpost.com

Read Previous

Bayern Munich në diskutime finale me Ralf Rangnick

Read Next

Mësuesit protestojnë në Tiranë: ‘Stop burokracive’, mbani premtimin për rritjen e pagave