Ministri i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Elbert Krasniqi, pasi ka vizituar një qendër të votimit në Veri, ka thënë se gjithçka po shkon në rregull, teksa ka adresuar kritika për Listën Serbe e cila ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe mos t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve”, tha Krasniqi para gazetarëve.
Sipas tij, udhëzimi administrativ e ka hapur mundësinë që përmes peticionit të parashtrohet me 20 për qind të votuesve të një qyteti ku ata e kanë iniciuar këtë peticion.
“Qeveria e Kosovës e ka pasur detyrën dhe mandatin që të mundësojë që qytetarët që dëshirojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre ta bëjnë me të drejtën që u garantohet përmes Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Detyrë e jona ka qenë ta bëjmë këtë mundësi që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre. Detyrë e shtetit ka qenë edhe organizimi i procesit, pjesa tjetër i mbetet qytetarëve”, shtoi./Albanianpost.com