Në Dragash mbahet mësimi me dy sisteme arsimore, një të Kosovës dhe një të Serbisë

Rreth 13 shkolla në komunën e Dragashit vijojnë mësimin me planprogram të Serbisë i cili nuk e njeh realitetin e ri në Kosovë. Madje në fshatin Restelicë të kësaj komune të banuar kryesisht nga boshnjakët dhe goranët në një objekt shkollor funksionojnë dy sisteme, nxënësit boshnjakë mësojnë me planprogram të Kosovës ndërsa ata goran me planprogram të Serbisë. Përveç kësaj shkolla në këtë fshat drejtohet nga dy drejtor një i emëruar nga komuna e Dragashit dhe një tjetër nga shteti i Serbisë. Zyrtar të komunës shprehin shqetësimin e tyre për rivalitetin e krijuar mes komuniteteve për çka thonë se këtë problem duhet ta zgjidhë qeveria.

Në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit, në shkollën fillore “Restelica”, karakteristike është se në katin e parë mësojnë nxënësit boshnjakë në gjuhën boshnjake me planprogram të Kosovës ndërsa në katin e dytë mësohet në gjuhën serbe me plan program të Serbisë. Ndërsa stafi i kësaj shkolle nuk e lejoi ekipin e RTV21 ta shoh nga afër si shkon mësimi në këtë kat.

Fshati Restelicë është fshati më i madh në Komunën e Dragashit. Nga rreth 200 nxënës që vijojnë mësimin në shkollën fillore “Restelica” rreth 60 sish nga komuniteti goran vijojnë mësimin me planprogram të Serbisë.

Drejtori i kësaj shkolle, Bajram Hoxha, i emëruar nga pushteti komunal i Dragashit, shpreh shqetësimin që në katin e dytë vendimet i merr një drejtor tjetër i emëruar nga shteti i Serbisë.

“Ne punojmë me plan program të Kosovës këtu mësimi zhvillohet në gjuhën Boshnjake, janë Goranët në katin e dytë që mësojnë me plan programe të Serbisë një pjesë e shkollës punon me plan program të Serbisë dhe ka drejtor tjetër nuk e di si është emëruar, unë jam emëruar nga komuna e Dragashit, kur janë festat zyrtare të Kosovës nuk punojnë as ata sepse ne e mbyllim shkollën”, tha Hoxha për rtv21.

Në këtë rajon janë 12 shkolla të cilat punojnë sipas sistemit paralel serb. Disa prej tyre punojnë ngjashëm si shkolla “Restelica”, një pjesë me planprogram të Kosovës, pjesa tjetër me planprogram të Serbisë.

Shefi i zyrës për komunitete në komunën e Dragashit Uzair Hamza, thotë se ky problem në këtë komunë është prej vitesh. Ai vë në dukje se është krijuar një rivalitet mes komuniteteve: atyre që mbahen me Kosovën dhe goranëve të cilët mbahen me Serbinë. Ai fajëson qeverinë për mosmarrje të përgjegjësisë për këtë fenomen.

“Sa u përket ndalimit të planprogrameve mësimore me atë të Serbisë janë në duar të qeverisë ta ndalojnë sepse ne si komunë nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë, qeveria e ka në dorë kurdo që dëshiron ta ndaloj, problemi më i madh është se ky lloj konflikti është hedhur në nivel lokal diçka që i takon dikujt tjetër në zgjidhjen e këtij konflikti. Këtu më herët ka qenë një praktikë që familjet nuk kanë folur mes vete dhe për këtë duhet që shteti ti rregulloj këto çështje në mënyrë të drejtë sipas ligjit që të tejkalohen mos pajtimet mes familjeve dhe individëve meqë këtu po krijohen dy rivalitete dhe këtë punë duhet ta kryej qeveria dhe jo komuna e Dragashit”, tha ai.

Shteti i Serbisë vazhdon të subvencionojë komunitetin goran në arsimin e komunës së Dragashit.

Muaj më parë institucionet e Kosovës mbyllën katër zyre paralele serbe në komunën e Dragashit, gjë që pati shkaktuar reagim të bashkësisë ndërkombëtare./21Media

Read Previous

25 vjet nga bombardimet e NATO-s, Osmani: Përjetësisht falënderuese

Read Next

Fjalimi i Clintonit më 24 mars të vitit 1999