Policia njofton për simbole nacionaliste serbe në lagjen me shqiptarë në lagjen “Kroi i Vitakut”

Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh, ka raportuar për disa grafite provokuese në lagjen “Kroi i Vitakut” në Veri të Mitrovicës.

Në një shtëpi të pabanuar, sipas Policisë së Kosovës, janë vizatuar grafite me simbolin nacionalist të serbëve, kryqi me katër C-ja.

Rastin në fjalë Policia e ka iniciuar si “nxitje e përçarjes dhe mos durimit”.

“Më 01.03.2024 është vërejtur se në një shtëpi të pabanuar janë shkruar grafitë (kryqi me 4C). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Ndryshe disa fletushka të një organizate të re “Mbrojtja Popullore” janë shpërndarë më 12 shkurt në Veri gjatë protestës ku mijëra serbë kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.

Fletushkat përmbajnë një sërë udhëzimesh specifike për veprimet që duhet të ndërmerren nëse haset në forcat e rendit të Kosovës, të cilat grupi i referohet si “Policia e Kurtit”.

Në fletushka udhëzohen serbët që t’i gjuajnë me gjësende policët e Kosovës, përfshirë edhe me kokteje molotovi. Po ashtu udhëzohen edhe si të goditen me shuplakë shërbyesit komunal.

Ndër udhëzimet në këto fletushka janë edhe si të thyhen veturat e policisë “më lehtë” e po ashtu edhe ka udhëzime se si “të bëhet kokteji i molotovit”.

Ndërsa me 10 shkurt grafite luftënxitëse ku shkruhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë, jeton Brigada e Veriut”, janë shfaqur në një objekt në Mitrovicë të Veriut.

Grafite të tilla thuhet se janë parë edhe në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna këto të banuara me shumicë serbe.

Të hënën, rreth 2 mijë persona kanë qenë pjesëmarrës në protestën e organizuar në Veri të Kosovës, për të kërkuar shfuqizimin e vendimit që ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë./Albanianpost.com/

Read Previous

Singapori vendi më i arsimuar në botë, ja lista me 10 më të mirët

Read Next

FOTO/ SHBA-ja dërgon ndihma nga ajri në Gaza