Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me homologun e tij nga Irlanda, Leo Varadkar, me të cilin ka diskutuar për mundësinë e thellimit të marrëdhënieve me interes të përbashkët.
Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Temat qendrore në këtë takimin e dytë bilateral, pas atij në Prishtinë, në janar të këtij viti, ishin marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, tregtisë e teknologjisë, dhe zhvillimet rajonale. Bashkë diskutuan për mundësitë e thellimit të tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, thuhet në komunikatë.
Kurti po ashtu e ka njoftuar atë mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, progresin e shënuar dhe ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze.
“Ai e falënderoi kryeministrin Varadkar për përkrahjen aktive ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës”.
Kurti po ashtu është takuar me ministrin e shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke, me të cilin ka diskutuar për integrimin evropian dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës në proceset integruese dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.
Ai kërkoi nga Burke largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe mundësisë që Plani i Rritjes së BE-së paraqet për secilin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, u diskutua edhe për reformat demokratike përgjatë qeverisjes dhe rezultatet e të cilave janë mbështetur edhe nga raportet e organizatave të rëndësishme e të besueshme ndërkombëtare, dhe për objektivat e Qeverisë për vitin 2024 në kontekstin e integrimeve evropiane.
Më 11 janar, kryeministri irlandez dhe një pjesë e kabinetit të tij kishin qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.
/albanianpost/