Gazeta Sinjali ka raportuar mbrëmë ekskluzivisht për një doganier që dyshohet se u përfshi në një tentim-vrasje në brendi të punëtorisë “Dielli” në rrugën “Gaspër Karaçi” në Gjakovë.
Gazeta kishte mësuar se bëhej fjalë për të dyshuarin Shpend Vokshi, doganier, i cili cak të gjuajtjes me armë kishte të dëmtuarin Korab Lleshi, pronar të kompanisë “Dielli” në Gjakovë. Vokshi është arrestuar dhe, atij i është bastisur edhe shtëpia. Sinjali kishte mësuar po ashtu se i dyshuari dhe i dëmtuari kishin lidhje të afërta mes veti.
Dogana e Kosovës ka konfirmuar se personi i përfshirë në këtë tentim-vrasje është oficer doganor teksa kanë deklaruar se në momentet e aktit ishte jashtë detyrës zyrtare.
“Dogana është njoftuar zyrtarisht nga policia e Kosovës lidhur me këtë rast. Oficeri doganor ka qene jashtë detyrës zyrtare kurse dogana e trajton këtë rast konform procedurave tona të brendshme”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion.
Ndryshe, detaje për këtë tentim-vrasje kanë dhënë edhe nga policia e Kosovës, rajoni në Gjakovë.
Ata bënë të ditur se dyshja fillimisht kishin një fjalosje mes veti teksa më pastaj i dyshuari me armë zjarri kishte qëlluar në punëtori.
“Pas fjalosjës i dyshuari kishte shkuar tek vetura e tij ndërsa ankuesi ishte larguar jashtë puntorisë. I dyshuari kishte marrë një armë zjarri të shkurtë, me të cilen kishte shkuar në zyrën e deshmitarit të lartëcekur duke e kërkuar viktimën. Dëshmitari ishte munduar ta ndalte mirëpo i dyshuari kishte gjuajtur në drejtim të derës së puntorisë duke menduar se viktima ndodhej aty brenda”, ka deklaruar Nysret Xhurkaj, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjakovës. /Gazeta Sinjali/