Punimi i një toke, kthehet për tentativë në vrasje

Punimi i një toke u bë mollë sherri mes dy familjeve në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë. Konflikti verbal mes tyre eskaloi në përleshje fizike, ku përpos grushteve u përdor edhe një armë zjarri, me ç’rast mbeti i plagosur një person.

Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se dy vëllezërit B.O dhe I.O dyshohet se kanë tentuar ta privojnë nga jeta 40-vjeçarin, N.V..

Ky i fundit u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Spitalit në Vushtrri, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore, por për shkak të natyrës së lëndimeve, ai u transportua për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Pos viktimës, ndihmë mjekësore morën edhe njëri prej të dyshuarve, I.O dhe një dëshmitar që ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin kritik.

Me të marrë informacione, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku gjatë ekzaminimeve për zbardhjen e rrethanave të rastit, kanë sekuestruar armën me fishekë që dyshohet se u përdor në rast dhe një gëzhojë.

Po ashtu Policia vuri në pranga vëllezërit, të cilët u shoqëruan në stacion policor për intervistim.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i gjithë sherri ka ndodhur pas një konflikti për punimin e një toke, e cila është në pronësinë e një personi të tretë.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Lëndim trupor’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Sinjali/

Read Previous

Beteja që la të vdekur 976 mijë viktima

Read Next

Komandanti i KFOR-it: Autorët e sulmit në Banjskë duhet të mbahen përgjegjës, s’duhet të përsëritet