Asambleja e kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, në takimin e mbajtur të martën, ka diskutuar lidhur me unifikimin e praktikës gjyqësore.
Anëtarët e Asamblesë, kërkuan që kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët mbikëqyrës të identifikojnë devijimet nga praktika gjyqësore, në mënyrë që të diskutohen në tryeza të përbashkëta.
Sipas kryetrarit të Gjykatës Supreme, njëherësh edhe kryesuesit të Asamblesë, Fejzullah Rexhepi, çështja e unifikimit të praktikës gjyqësore është nevojë që duhet të veprohet nga gjyqësori.
Rexhepi shtoi se brenda një gjykate, brenda një departamenti, e me raste edhe nga gjyqtari i njëjtë për çështje të njëjta dalin vendime të ndryshme.
Edhe kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli tha se çështja e praktikës gjyqësore mbetet problem.
Kjo pasi sipas tij, edhe në Gjykatën ku ai udhëheq ka gjyqtarë që veprojnë në kundërshtim me praktikën gjyqësore edhe pse pajtohen për çështje të ndryshme në mbledhje të kolegjiumeve.
Tutje, sipas kryetarit Rexhepi, mendimet juridike, qëndrimet dhe udhëzuesit e Gjykatës Supreme duhet të jenë të zbatueshme për secilin gjyqtar.
Asambleja ka diskutuar edhe për paraburgimin, ku i është rekomanduar Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të lidhë memorandum mirëkuptimi me qendrat e paraburgimit që vendimet të dorëzohen përmes e-mailit e jo përmes Postës.
Tutje, anëtarët e Asamblesë kanë diskutuar edhe për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve.
Në vazhdimin e këtij takimi, Asambleja ka diskutuar edhe për çështjen e barazisë gjinore brenda sistemit gjyqësor, ku është trajtuar edhe kërkesa e Forumit të grave gjyqtare dhe prokurore të Kosovës.
Një çështje tjetër e cila është diskutuar nga anëtarët e Asmablesë, ka qenë edhe kërkesa e EULEX-it për monitorimin e qendrave të paraburgimit dhe burgjeve, ku sipas këtyre të fundit po ka pengesa.
Një gjë e tillë është vendosur të diskutohet nga Asambleja në takimin e radhës me arsyetimin se duhet të jepen sqarime më të detajuara.
Në fund, tek pikat e rendit të ditës është diskutuar edhe kërkesa e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, e cila ka kërkuar që të plotësohen pozitat në administratë.
Ajo tha që në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka mungesë të referentëve dhe që për një kohë të gjatë nuk ka pasur konkurse për plotësimin e pozitave të tilla.
Po ashtu, Shabani-Rama shprehu shqetësimin e saj se edhe dega e Gjykatës në Fushë-Kosovë ka probleme me pozitat e lira që po e pengon funksionimin e kësaj gjykate.
Megjithatë, zëvendëskryesuesi i KGJK-së, Qerim Ademaj tha se kjo çështje tashmë është zgjidhur dhe se sekretariati është në proces të shpalljes së konkurseve për pozitat e lira. /BetimipërDrejtësi