Pak më parë para objektit të Qeverisë së Kosovës është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës me rastin e 16-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ceremoni kjo në të cilën kanë marrë pjesë Presidentja Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.
Pas kësaj ceremonie, Konjufca shprehi rëndësinë e ditës së 17 të muajit shkurt, teksa adresoi falënderime për dëshmorët e martirët e kombit.
I pari i Kuvendit po ashtu mirënjohje e falënderime pati edhe për ndërkombëtarët, për të cilët tha se e ndihmuan Kosovën në lindjen e saj si Republikë.
“Sot është dita e Pavarësisë, dita më e rëndësishme e shtetit tonë. Pikërisht 16 vite më parë lindi Republika e Kosovës. Sot është ditë jo vetëm e festimit, por edhe e reflektimit, falënderimit e mirënjohjeve. Falënderimi i parë shkon për ata dëshmorë e martirë që e dhanë jetën për liri e pavarësi të shtetit tonë, dhe për të gjithë ata veprimtarë e aktivistë politikë të cilët nuk kursyen asgjë që shteti jonë të krijohet. Pa dyshim edhe miqtë tanë ndërkombëtar të cilët na ndihmuan që të lindë Republika e Kosovës, prandaj gëzuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, gëzuar për këtë ditë të rëndësishme”, u shpreh Konjufca para mediave.
/GazetaSinjali/