Në Komunën e Zubin Potokut, të enjten, disa persona të panjohur kanë larguar një tabelë të cilën e kishte vendosur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nga objekti i qendrës.
Kështu të paktën ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
Dëmtime ka pësuar edhe vendi se ku ishte e vendosur tabela.
Sipas raportit të policisë, rasti është nën hetime.
“Ankuesja kosovare ka njoftuar policinë se nga persona të panjohur është larguar nga objekti i qendrës tabela të cilën e kishte vendosur Ministria e Pushtetit Lokal. Po ashtu ishte dëmtuar edhe vendi (fasada) ku ishte e vendosur tabela. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.
Ndryshe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituan të enjten Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – nga ku thanë se kërcënimet e Serbisë nuk i frikësojnë dhe rrjedhimisht, do të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në katër komunat veriore.
Sveçla e Krasniqi vizituan shtëpinë në ndërtim e sipër të një shqiptari në Mitrovicë të Veriut, përfitues nga thirrja e Qeverisë së Kosovës për grante për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive, një prej të cilave të mërkurën në mbrëmje u ngjyros me “parulla ekstremiste” e “simbole nacionaliste”, derisa u zotuan se përgjegjësit për kryerjen e këtij akti do të vihen para drejtësisë.
“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste që nuk kanë vend në Kosovë. Çfarëdo gjuhe e urrejtës ndëretnike, çfarëdo gjuhë që nxit dhunë është e dënueshme. Akterët do të zbulohen dhe do të vihen para drejtësisë. Ashtu siç e kemi thënë edhe më herët: për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë”, tha Sveçla në një deklaratë. /Albanianpost.com