Viti 2023 po planifikohej që të mbyllej me festë të madhe për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, me një kualifikim në Kampionatin Europian. Megjithatë, ajo ambicie e madhe mbeti vetëm dëshirë, sepse “Dardanët” mbyllën eliminatoret e Euro 2024 duke përfunduar në pozitën e 5-të në klasifikim, që konsiderohet një dështim i madh.
Për të rikujtuar në mënyrë kronologjike, gjithçka nisi në muajin mars me shpresa të mëdha se në një grup me Zvicrën, Rumaninë, Izraelin, Bjellorusinë e Andorrën, gjasat ishin të mëdha për kualifikim, pasi vetëm helvetët konsideroheshin si skuadër më cilësore se Kosova.
Ndeshja e parë, barazim me Izraelin në Tel Aviv, një rezultat i mirë, bazuar në kundërshtarin dhe mënyrën se si Kosova luajti. Megjithatë, vetëm tri ditë me vonë, barazon me Andorrën në shtëpi 1-1, duke u bërë kështu kombëtarja e Andorrës si më e dobëta që u ka marrë pikë ndonjëherë “Dardanëve”. Për më tepër, ky barazim bëri që të fillojnë dyshimet në drejtim të trajnerit Alain Giresse, sidomos për faktin se nuk e ftoi Mirlind Dakun në grumbullim, ndërsa nuk e futi fare në lojë Arbnor Mujën, i cili ishte në stol dhe po kalonte formë fantastike.
Dyshimet konfirmohen vetëm 3 muaj më vonë, kur Kosova do të kishte dy ndeshje vendimtare për kualifikim, ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë. Ndaj rumunëve, në Prishtinë, ndeshja u mbyll 0-0, ndërsa kupa mbushet me humbjen e pësuar nga Bjellorusia, në Budapest. Pas kësaj humbjeje, Kosova tashmë kishte zbehur shumë gjasat për kualifikim, ndërsa Federata e Futbollit të Kosovës nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse ta shkarkonte francezin nga detyra e trajnerit.
Giresse në drejtimin e Kosovës u konsiderua një dështim i madh, që nuk pati impakt vetëm te rezultatet, por edhe te futbollistët. Fakti që nuk iu dha mundësi Dakut e Mujës që të luanin me Kosovën, bëri që të dy futbollistët të zgjidhnin Kombëtaren Shqiptare, duke ndihmuar në kualifikim në Kampionatin Europian.
FFK disa ditë më vonë njofton se për ndeshjet e mbetura kualifikuese ekipin do ta drejtonte trajneri slloven, Primoz Gliha, i cili ishte pjesë e strukturave të Federatës edhe më parë. Slloveni kontrovers e fillon aventurën e tij me Zvicrën, duke marrë një barazim 2-2 në minutat e fundit, me ekipin që dha sinjale pozitive që ka një këndellje nga ndeshjet e kaluara, por vetëm 3 ditë më vonë do të luhej për gjithçka në Bukuresht të Rumanisë.
Në një ndeshje aspak të zakonshme, ku pati ndërprerje të gjatë prej afërsisht 50 minuta për shkak të një baneri ku shkruhej “Kosova është Serbi”. Kosova pëson 2-0 me golat që i pranon në fundin e takimit. Aq më tepër në një ndeshje ku “Dardanët” luajtën pa një lojtar, pasi Vedat Muriqi ishte ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 42-të. Shpresat e kualifikimit po veniteshin.
Ndeshja e radhës është ajo ndaj Andorrës, të cilën Kosova e fiton 0-3, që ishte asgjë më shumë se një detyrë e kryer përballë një kundërshtari modest, ndërsa ndeshja ndaj Izraelit u shty për më vonë, pasi filloi lufta në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Palestinës.
Ndeshja u luajt me 12 nëntor dhe Kosova fitoi 1-0 me një gol të shënuar nga Milot Rashica. Befasisht, falë rezultateve të tjera, “Dardanët” ishin ende në garë për kualifikimin! Në këtë ndeshje lëndohet Vedat Muriqi, ndërsa për dy të radhës ndaj Zvicrës dhe Bjellorusisë nuk vijnë Amir Rrahmani dhe Edon Zhegrova, me sulmuesin e Lille që madje polemizon në distancë me trajnerin Gliha, duke krijuar një situatë të pakëndshme te skuadra.
Sidoqoftë, Kosova luan në Basel përballë Zvicrës me shumë mungesa, por në një ambient spektakolar me stadiumin e mbushur me shqiptarë. Debutuesi Muhamet Hyseni ngrihet nga banka për të shënuar golin e barazimit 1-1, rezultat ky që nuk mjaftonte për t’u kualifikuar dhe përfundimisht edhe matematikisht Kosova është jashtë Europianit.
Si të mos mjaftonte kjo, Bjellorusia vjen në Prishtinë dhe fiton 1-0, duke e lënë një shije të keqe tek ata pak shikues që ishin mbledhur në “Fadil Vokrri”, duke i vënë vulën e një sezoni të dështuar. Trajneri Gliha u largua me automatizëm, ndërsa Federata e Futbollit është në kërkim të një trajneri të ri.
Deri këtë fund viti shumë emra janë përmendur, mirëpo, siç është paralajmëruar, ai nuk do të caktohet të paktën deri më muajin shkurt të vitit të ardhshëm. Si përfundim, një vit për tu harruar sa më parë për Kosovën, me tifozët që presim ndryshime të mëdha nga Federata, në mënyrë që rikthehet entuziazmi dhe shpresa. /Supersport.al