Komisione rekord për agjentët e futbollistëve gjatë vitit 2023

Shpenzimet totale për tarifat e agjentëve nga klubet arritën nivele të paprecedenta gjatë vitit 2023, me një shpenzim total prej 888.1 milionë dollarësh. 623.2 milionë dollarë u shpenzuan vitin e kaluar, sipas raportit të FIFA-s për agjentët e futbollit në transferimet ndërkombëtare.

Kjo është një rritje prej 42.5% mbi nivelin e shpenzimeve të vitit 2022 dhe tejkalon rekordin e mëparshëm në 2019 (654.7 milionë dollarë) me më shumë se një të tretën.

Deri tani shpenzimet më të larta për agjentët ishin nga klubet evropiane, të cilët përbëjnë 86.6% të shpenzimeve globale.

Numri më i madh i tarifave për shërbimet e agjentëve është paguar nga klubet angleze, me një total të kombinuar prej më shumë se 280 milionë dollarë.

Në vendin e dytë vjen Italia me 115.7 milionë dollarë. Gjermania vjen e treta me 89 milionë dollarë. Arabia Saudite, e cila tronditi tregun veror të transferimeve, është e katërta me 86 milionë dollarë. Portugalia ka marrë vendin e pestë me 60.9 milionë dollarë. Spanja ka shpenzuar 52.9 milionë dollarë. Dhe, Franca qëndron në vendin e shtatë me 42.2 milionë dollarë.

Numri i transferimeve ndërkombëtare me një agjent që vepron në emër të lojtarit arriti një rekord të lartë në vitin 2023, me një total prej 3,353 transferimesh. Kjo korrespondon me 15.4% të të gjitha transfertave dhe paraqet një rritje prej 8.4% krahasuar me vitin 2022.

Për herë të parë, klubet profesioniste të futbollit të femrave shpenzuan më shumë se 1 milion dollarë për shërbimet e agjentëve të klubeve, me një shpenzim total prej pak më pak se 1.4 milion dollarë. Agjentët e klubeve ishin të pranishëm në një numër rekord prej 125 transferimesh, një rritje prej më shumë se 20% krahasuar me vitin 2022. /Albanianpost.com

Read Previous

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për sport

Read Next

​Arrestohet në Spanjë Lulzim Berisha, ish-kreu i “Bandës së Durrësit”