Organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë e ndihmës bënë thirrje të enjten për një armëpushim të menjëhershëm për t’i dhënë fund një “gjakderdhje të jetëve njerëzore” në Gaza, duke paralajmëruar se situata mund të dalë shpejt jashtë kontrollit.
Ata i bënë thirrjet e tyre në një konferencë në Paris që synonte të koordinonte ndihmat dhe të vlerësonin se si t’i ndihmonin njerëzit e plagosur në Gaza që kur Izraeli nisi ofensivën e tij tokësore dhe ajrore në përgjigje të një sulmi nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.
Përfaqësues të kombeve arabe, fuqive perëndimore dhe anëtarë të Grupit të 20 ekonomive kryesore ishin në mesin e atyre që morën pjesë në konferencë, por Izraeli nuk ishte i ftuar dhe pak krerë shtetesh, qeverish apo ministrash të jashtëm ishin aty. Pritshmëritë për rezultate konkrete janë të ulëta nëse nuk ka pauzë në luftime.
Pjesëmarrësit u vendosën të diskutojnë një propozim për të krijuar një korridor detar për të dërguar ndihma humanitare në Gaza ose për të evakuuar të plagosurit, ngritjen e spitaleve në terren dhe ndihmën financiare për të lehtësuar krizën humanitare në rritje.
Izraeli e ka përjashtuar një armëpushim të menjëhershëm që mund të ndihmojë në forcimin e Hamasit. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë jehonë pikëpamjes izraelite, duke paralajmëruar se një armëpushim mund të ndihmojë Hamasin të rigrupohet, por ka bërë thirrje për pauza humanitare, shkruan Reuters.
/KlanKosova/