Të premten e 3 shtatorit do të protestohet për ish-aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari i cili ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me 5 nëntor të 2016-ës.
Lajmin e ka bërë të ditur, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Nesër protestë. Në ora 12:00, përballë Prokurorisë Speciale në Prishtinë, sheshi Zahir Pajaziti në qendër të Prishtinës. Gjaku i Astritit nuk falet”.
“U bënë 7 vjet nga vrasja e Astritit e Prokuroria nuk dëshiron ta sheh të vërtetën. Protesta do të mbahet për shkak të neglizhencës së Prokurorisë në hetimin e vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Gashi.
Më tetë dhjetor të vitit të Kaluar, ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, kishte dalur në një konferencë për medie, për të treguar se mostrat e gjakut në rastin e Astrit Deharit, janë zhdukur nga laboratori ku po ruheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Kosovë.
“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit”, kishte deklaruar Haxhiu.
Për këtë rast, katër persona të dyshuar u suspenduan.
Ata u suspenduan nga IML më tetë dhjetor 2022, por u rikthyen në punë më 19 shkurt 2023, pas një vendimi të Komisionit Disiplinor brenda Institutit.
Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016.
Ai po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit, i kryer në gusht të atij viti.
Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren. /Albanianpost.com