Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Picula, duke folur për rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian, ku kërkohet që të vendosen sanksione ndaj Serbisë, në rast se vërtetohet lidhja e Beogradit në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, ka thënë se kjo rezolutë është një pikë kthese sa i përket marrëdhënieve të BE-së me Serbinë.
“Ajo rezolutë që Parlamenti Evropian e miratoi javën e kaluar me shumicë të madhe votash është në një farë mënyre një pikë kthese sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, pra në lidhje me dialogun e lehtësuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian, sepse ai ishte pikërisht inkursioni terrorist i grupeve paramilitare në Veri të Kosovës që në njëfarë mënyre tregoi se dialogu ka shtrirje shumë të kufizuar”, ka thënë Picula, transmeton media malazeze “Pobjeda”.
Sepse, sipas tij, regjimi i Aleksandër Vuçiç-it në Serbi “në asnjë mënyrë nuk do të heqë dorë nga vendosja e kontrollit të tij në të gjitha ato pjesë, territore me të cilat kufizohet Serbia, ku jeton popullata serbe”.
Eurodeputeti Picula ka theksuar se presidenti serb, këtë rezolutë, të miratuar nga PE, do të mundohet ta përdorë për interesa të tij politike.
“Dhe përmes asaj rezolute shumë qartë u dërguam mesazh jo vetëm autoriteteve në Beograd, por edhe institucioneve në Bruksel që më në fund të ndalemi me politikën e favorizimit të Aleksandër Vuçiç-it”, shtoi ai.
Jashtë kësaj, ai foli edhe për situatën politike në Mal të Zi, dhe rolin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi në formimin e qeverisë së re atje, duke thënë se ajo “është një organizatë politike mbiqeveritare”.
“Ajo haptazi ndërhyn në punët e brendshme të Malit të Zi, përpiqet në çdo mënyrë të anulojë identitetin malazez”, theksoi ai.
“Sipas mendimit të Kishës Ortodokse Serbe, malazezi është vetëm një nënvariant, një variant rajonal i identitetit themelor, themelor serb të Malit të Zi, dhe anëtarët më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe nuk e fshehin këtë fakt”, potencoi Picula.
/albanianpost/