Luftimet mes ushtrisë izraelite dhe Hamasit kanë vazhduar edhe gjatë natës. Rreth 1,100 njerëz janë konfirmuar të vdekur në Izrael dhe Gaza pas sulmit masiv të koordinuar nga militantët e Hamasit që filloi herët të shtunën.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit deklarojnë se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet pasi një numër i madh njerëzish janë plagosur rëndë.
Ekipet e shpëtimit thonë se kanë gjetur 260 trupa në një festival muzikor i cili u sulmua nga militantët e Hamasit.
OKB ka deklaruar se sulmet ajrore hakmarrëse të Izraelit kanë zhvendosur 123,000 palestinezë në Gaza dhe afro 74,000 kërkojnë strehim në shkolla.
ShBA-ja e ka afruar aeroplanmbajtësen e saj më afër Izraelit, ndërsa Presidenti Joe Biden premtoi mbështetjen ‘të qëndrueshme’ të Uashingtonit për Tel Avivin.
Ai ka thënë se do të dërgojë më shumë armë, një lëvizje e denoncuar si “agresion” nga Hamasi.
Zyrtarët amerikanë presin që Izraeli të nisë një inkursion tokësor në Gaza brenda 48 orëve të ardhshme./Sinjali/